Klosi: Parku Kombëtar i Qafështamës, potencial për zhvillimin e guidave të sporteve në turizëm

3 Mars, 2020 - 12:43 pm

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi një takim me studentët e Masterit Profesional për Menaxhim të Sporteve në Turizëm, të Universitetit të Sporteve, Tiranë, të cilët po kryenin praktikën mësimore në ambientet Shkreli Resort, në zemër të Parkut Kombëtar Qafështamë.

“Bëhet fjalë për të rinj dhe të reja të specializuara për të bëjnë guida profesionale për tipe të ndryshme në turizmin tonë. Dhe kur këto vijnë nga Fakulteti i Sporteve padyshim që janë shumë të kërkuara dhe ky treg i ri që është hapur në Shqipëri treg i ri i shoqërimit, të tregimit të natyrës së vendit tonë edhe i sporteve të aventurës është realisht nga më të kërkuarit. Ne si ministri në bashkëpunim me operatorët turistik gjithmonë kemi shumë kërkesa për profesionin tuaj. Njerëz që dinë se çfarë është Shqipëria, dinë ta tregojnë Shqipërinë ashtu siç duhet, dinë të shoqërojnë në ambiente të ndryshme dhe në zona të caktuara si kjo e Qafështamës, turistët e huaj”, u tha ministri Klosi studentëve të këtij masteri.

Ata kërkuan një takim dhe prezantim me operatorët turistik të vendit, pasi dhe disa muaj dhe ata janë gati për të hyrë në tregun e punës. Diploma e studentëve të kësaj dege, është e njehsuar dhe njihet në Shqipëri dhe vendet e Rajonit. Në Parkun Kombëtar të Qafështamës mund të ushtrohen shumë mirë sportet e natyrës, sic janë ecje nëpër shtigjet e hapura enkas, hiking, çiklizëm, ngjitje në majat përreth, kamping dhe ski.

“Është një nga ato sfidat që ka Shqipëria dhe një nga ato politika që merret institucioni ynë që ta afrojmë turizmin me shqiptarët. Në flasim shumë për turizmin për miliona turistë që i ofrohen Shqipërisë, miliona turistë që kanë qenë vitet e fundit, rreth 7 milionë turistë pritet që të vijnë këtë vit, por ne na duhet ta promovojnë shumë më tepër për qytetarët shqiptarë. Pra, që ta njohin dhe ata shumë më tepër Shqipërinë dhe të ndihmojnë kaq shumë investime që po bëjnë në turizëm. Prandaj ajo që tha dhe profesori është që na duhet që përveçse të dine, të ketë edhe argëtim, të kenë arsye përse të qëndrojnë në një pikë kaq të bukur si Qafështama. Pra të bëjnë ecje në natyrë, ecje në bukuritë e kësaj zone, të njihen me aktivitete të ndryshme dhe pastaj të bëhet një komunikim më shumë për sa i përket kësaj hapësire”, tha ministri Klosi. Në fund të takimit ministri Klosi u dorëzoi administratorëve të “Shkreli Resort” certifikatën e kategorizimit, si resort në fushën e agroturizmit.

Pjesë e Vargmalit të Skënderbeut, Qafështama ofron një natyrë mbresëlënëse, në një lartësi prej 1100 dhe ngrihet lart deri në Majën e Liqenit, 1725 m mbi nivelin e detit dhe ndërthuret me vlerat kurative, ujin e familjes mbretërore dhe historisë së 90 vajzave krutane që u flijuan te “Shkëmbi i Vajës”. Zona e Mbrojtur e Parkut të Qafështamës që ka një frekuentim gjithëvjetor, ka një sipërfaqe prej rreth 20 km2, e shpallur si e tillë prej vitit 1966. Ajo gjendet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës. Ky park, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, si vend kurativ dhe turistik. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme