займ на карту онлайн потребительский кредит

KMLDNJ thirrje Qeverisë për ndihmë ndaj grupeve margjinale: Nuk janë respektuar standardet për të drejtat e njeriut

16 Nëntor, 2020 - 3:06 pm

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut kanë reaguar ndaj Qeverisë të Kosovës, duke kërkuar një kujdes më të madh për grupet e margjinalizuara, të cilave vlerësohen se nuk u janë përmbushur standardet minimale për respektim të të drejtave të njeriut, shkruan KultPlus.

Ky Këshill i cili merret me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut nëpërmjet kësaj kërkese thërret Qeverinë e Kosovës të intervenojë shpejt në mënyrë që grupet e margjinalizuara të mos privohen nga të drejtat që iu takojnë e që deri më tani nuk ka qenë krejtësisht në përputhje me standardet, qoftë edhe minimale për respektimin e të drejtave të njeriut”, ka reaguar KMLDNJ.

Tutje, ata kanë shtuar se institucionet qeverisëse duhet të ndihmojnë pjesëtarët e grupeve të margjianlizuara qoftë edhe duke i liruar nga pagesat e detyrimeve dhe shërbimeve komunale, duke potencuar se komuniteti serb i Kosovës nuk i paguan ato fare. Poashtu është kërkuar edhe pajisja e këtyre grupeve me lëndë djegëse nga qeveritë lokale meqë jemi në prag të dimrit.

Ky Komision ka përmendur edhe kategoritë e grupeve të margjinalizuara të cilat janë në gjendje të rëndë.

“Grupet e cenueshme, sikur të moshuarit, të sëmurët me sëmundje kronike, kategoritë e skemës sociale janë në gjendje të rëndë. Edhe kategoritë e dala nga lufta nuk janë aspak në gjendje të mirë. Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit vuajnë nga një mungesë e përkujdesjes së shtuar e që reflekton në përkeqësim të gjendjes ekonomike sikur edhe thellim të vuajtjeve shpirtërore”, shkruan KMLDNJ.

Poashtu ata nuk kanë lënë anash as komunitetin rom, ashkali dhe egjiptas, duke theksuar se me masat e reja kufizuese iu janë vështirësuar veprimtaritë e tyre për mbijetesë.

“Sipas informatave të KMDLNj-së nga terreni, pjesëtarët e komunitetit romë janë në gjendje shumë të rëndë materiale për shkak të papunësisë së madhe dhe diskriminimit që iu është bërë më herët në këtë aspekt e që është arsyetuar me mungesën e shkollimit ndonëse numri i të punësuarve romë ka qenë simbolikë edhe aty ku nuk ishte kërkuar ndonjë kualifikim profesional”, kanë shtuar ata.

KMDLNj poashtu ka bërë thirrje për institucionet e Kosovës që të ndalin proceset e përmbarimit për individë që nuk kanë asnjë mundësi t’i shlyejnë detyrimet e mëparshme. /KultPlus.com

Të ngjajshme