Kometa të errëta: Rreziku i padukshëm që fshihet në Sistemin Diellor

9 Gusht, 2025 - 4:30 pm

Në hapësirën e thellë të Sistemit Diellor ndodhen disa nga objektet më të çuditshme që astronomët kanë zbuluar ndonjëherë, të ashtuquajturat “kometa të errëta”. As asteroidë tipikë, as kometa klasike, këto trupa janë një përzierje e mistershme që sfidojnë ndarjet tradicionale të astronomisë. Edhe pse janë zbuluar vetëm në vitet e fundit, shkencëtarët besojnë se këto objekte mund të ofrojnë përgjigje për origjinën e ujit në Tokë, dhe ndoshta paraqesin një rrezik të padukshëm për të ardhmen e planetit tonë.

Gjithçka filloi në vitin 2016, kur një objekt që u mendua fillimisht si asteroid tregoi sjellje të ngjashme me atë të një komete, duke përjetuar një nxitim të lehtë jo të shkaktuar nga graviteti, por pa asnjë gjurmë tymi apo pluhuri. Një sjellje e ngjashme u vu re edhe me objektin ndëryjor ‘Oumuamua në vitin 2017. Deri në vitin 2023, ekipi i astronomit Darryl Seligman nga Universiteti Shtetëror i Miçiganit kishte identifikuar gjashtë objekte të tilla me sjellje të çuditshme dhe pa karakteristika kometare të dukshme. Ky numër u rrit në 14 në fund të vitit 2024.

Pavarësisht përpjekjeve, shkencëtarët ende nuk e dinë çfarë i shkakton këto nxitime të pazakonta. Ato nuk mund të shpjegohen as nga efektet termale si Yarkovsky, që zakonisht ndikojnë në orbitën e trupave të vegjël hapësinorë. Astronomët po dyshojnë se këto mund të jenë trupa me akull të fshehur nën sipërfaqe, të shtyrë drejt Diellit nga graviteti i Jupiterit dhe të aktivizuar nga rrotullimi i shpejtë apo përplasjet me objekte të tjera.

Një ndihmë e papritur mund të vijë nga Japonia. Anija kozmike Hayabusa2, e cila në vitin 2020 solli mostra nga asteroidi Ryugu, ndodhet aktualisht në një mision të dytë drejt një objekti të quajtur 1998 KY26. Në mënyrë krejt rastësore, ky objekt është identifikuar më pas si një kometë e errët. Hayabusa2 pritet të arrijë aty në vitin 2031 dhe mund të jetë mjeti që do të zbulojë nëse këto trupa lëshojnë vërtet gaz si kometat tradicionale. Nëse misioni shkon sipas planit, kjo do të jetë hera e parë që një kometë e errët vizitohet nga afër.

Për momentin, teleskopë si Lowell Discovery Telescope po ndihmojnë në ndjekjen e këtyre objekteve. Përpjekjet për të përdorur teleskopin hapësinor James Webb nuk kanë pasur sukses deri tani, por studiuesit shpresojnë të zbulojnë më shumë në vitet në vijim, sidomos pasi disa nga kometat e errëta pritet të ndriçohen më shumë nga Dielli.

Një hipotezë gjithnjë e më e mbështetur është se ka dy lloje kometash të errëta: ato të vogla dhe të afërta me Tokën, të cilat janë asteroidë të thyer me akull të ekspozuar, dhe ato më të mëdha që vijnë nga afër orbitës së Jupiterit, kometa në fazën e fundit të jetës së tyre.

Përveç vlerës shkencore që kanë për të kuptuar se si uji mund të ketë mbërritur në Tokë, kometat e errëta mund të paraqesin edhe një rrezik të vërtetë. Disa prej tyre, si objekti 2003 RM – janë në afërsi të Tokës dhe ndryshojnë orbitën në mënyrë të paparashikueshme. Kjo do të thotë se mund të ketë objekte të padukshme që, në dukje të padëmshme, papritur mund të ndryshojnë drejtim dhe të kërcënojnë Tokën.

“Nëse nuk arrijmë t’i zbulojmë saktë, nuk do të mund të dimë nëse do të na godasin apo jo,” thotë Aster Taylor nga Universiteti i Miçiganit. Ndërkohë, misteri i kometave të errëta vazhdon të thellohet, dhe e ardhmja mund të sjellë surpriza nga më të papriturat./BBC/KultPlus.com

Të ngjajshme