KOMF mban nesër konferencë, publikohet raporti i monitorimit “Komuna ime”

31 Maj, 2020 - 4:57 pm

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, KOMF mbajnë konferencë për media për publikimin e Raportit të Monitorimit “Komuna ime, e Drejta Ime Sociale”. Konferenca për media do të mbahet më 1 Qershor 2020, në orën 10:00, në “Hotel Sirius” në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve këtë vit i gjen fëmijët në një gjendje sociale edhe më të rënduar, si pasojë e pandemisë Covid–19, ku shumë fëmijë dhe qytetarë kanë mbetur pa shërbime sociale. 

Edhe pse shërbimet sociale dhe familjare janë të garantuara me ligj për të gjithë fëmijët e qytetarët në nevojë, ato nuk janë trajtuar me prioritet nga qeveritë e deritanishme qendrore e lokale. Kosova ka filluar procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale në vitin 2009 duke synuar t’i sjellë shërbimet sa më afër qytetarëve, por edhe pas 10 viteve, ky proces ende nuk është implementuar në tërësi. Kjo situatë po rezulton me shkeljen e të drejtave të fëmijëve e qytetarëve në nevojë për shërbime sociale, duke i lënë në një gjendje të rëndë dhe të pa-trajtuar nga institucionet përgjegjëse.

Ky raport pasqyron gjendjen e rëndë të shërbimeve sociale në shtatë komuna, ofron të gjeturat dhe rekomandimet lidhur me financimin, planifikimin dhe menaxhimin e shërbimeve, llogaridhënien, ndarjen e përgjegjësive, monitorimin dhe inspektimin.

Në këtë konferencë do të lansohet edhe fushata e KOMF “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale”, e cila do të jetë pjesë e aktiviteteve për shënimin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Ky aktivitet mundësohet në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, i cili implementohet nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP. /KultPlus.com

Të ngjajshme