Komiteti Paralimpik i Kosovës forcon bashkëpunimin me vendet e Azisë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

19 Maj, 2025 - 4:00 pm

Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të lëvizjes paralimpike në këtë rajon.

Gjatë qëndrimit të saj, Emini u prit nga CEO i Komitetit Paralimpik të Azisë, Tarek Souei. Në këtë takim u trajtuan mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të disiplinave paralimpike nga Kosova dhe shteteve aziatike. 

Souei shprehu vullnetin e tij për të lehtësuar ndërlidhjen me partnerë potencialë nga vende si: Emiratet e Bashkuara Arabe, Japonia, Koreja e Jugut, Malajzia dhe vendet e tjera të rajonit.

Për më tepër, Presidentja Emini realizoi një takim të veçantë edhe me Presidentin e Komitetit Paralimpik të Emirateve të Bashkuara Arabe në Emiratin e Sharjah. 

Palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit dhe për zhvillimin e projekteve të përbashkëta që përfshijnë trajnime, shkëmbime përvojash dhe pjesëmarrje në ngjarje sportive rajonale dhe ndërkombëtare.

Ky zhvillim paraqet një hap të rëndësishëm për përfshirjen e sportistëve paralimpikë të Kosovës në rrjetin më të gjerë ndërkombëtar dhe për avancimin e standardeve të sportit paralimpik në vend./ KultPlus.com

Të ngjajshme