Kompensim për pushimet e prenotuara, Klosi: Në interes të qytetarëve dhe në sinkron me vendimet e shtetet e BE-së

16 Qershor, 2020 - 2:54 pm

Në Fletoren Zyrtare është botuar sot Akti Normativ i miratuar në Këshillin e Ministrave, sipas të cilit pushimet e prenotuara përpara gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duhet të përmbushen nga agjencitë apo operatorët turistikë brenda një viti nga dita e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha sot se “ky Akt Normativ shkon në interes të qytetarëve, në sinkron me vendimet e shtetet e Bashkimit Europian dhe çdo vendi të zhvilluar turistik. Ky vendim shkon drejtëpërdrejtë në të drejtën e qytetarëve për të marrë shërbimin e prenotuar brenda vitit”.

Me propozimin e ministrit Klosi, ky Akt Normativ i miratuar nga qeveria ka për objekt përcaktimin e masave të veçanta që do të merren në sektorin e turizmit, për agjencitë e udhëtimit, operatorët turistikë dhe klientët e tyre, në ofrimin e një shërbimi udhëtimi, nga dita e shpalljes deri në përfundim të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID-19.

Ky akt normativ ka për qëllim mbështetjen e sektorit të turizmit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke ofruar një balancim dhe siguri ekonomike në funksion të përmbushjes së kërkesave të klientëve, në një mjedis të sigurt, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID-19.

“Operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, të cilët, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose si ndërmjetës, kanë marrë përsipër t’u ofrojnë klientëve çdolloj shërbimi udhëtimi apo një sërë shërbimesh të tjera ndihmëse, dhe këto shërbime janë të parapaguara ose të rezervuara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përjashtimisht detyrimeve të parashikuara shprehimisht në kontratë, të kryejnë rimbursimin e tyre, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ”, sqarohet në Aktin Normativ.

Ndërkohë që operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, që kanë lidhur kontrata ndërmjetësimi për shitjen e shërbimeve të ofruara nga furnizuesit e shërbimeve të udhëtimit me klientin dhe këto shërbime janë të parapaguara ose të rezervuara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përjashtimisht detyrimeve të parashikuara shprehimisht në kontratë, të kryejnë rimbursimin e tyre, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij Akti Normativ.

Klienti i një pakete udhëtimi apo dokumenti udhëtimi, nga/apo nëpërmjet agjencive të udhëtimit ose operatorit turistik, për shërbimet e udhëtimit të parapaguara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përjashtimisht detyrimeve të parashikuara shprehimisht në kontratë, përfiton rimbursimin e tyre brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij Akti Normativ.

“Në rast të pamundësisë së realizimit të kontratave të transportit të klientëve me mjetet e transportit ajror, si pasojë e masave kufizuese të ndërmarra për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID-19, nga/dhe aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë, transportit detar nga të gjitha portet në vend ose ujërave të brendshme, subjektet e parashikuara në këtë Akti Normativ, detyrohen të njoftojnë, sipas rastit, respektivisht agjencinë/ transportuesin/akomoduesin ose organizatorin e paketave të udhëtimit/klientin për pamundësinë e zbatimit të kontratave të transportit, duke bashkëlidhur dokumentacionin që vërteton dokumentin e udhëtimit ose rezervimin e qëndrimit ose kontratat e paketave të udhëtimit”, nënvizohet në Aktin Normativ.

Në Aktin Normativ thuhet se “operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit, brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga komunikimi i përmendur në pikën 2, të nenit 6, të këtij akti normativ, të rimbursojnë dokumentin e udhëtimit dhe/ose paketën e udhëtimit nëpërmjet lëshimit të një kuponi (voucher), që korrespondon me të njëjtën vlerë/shumë totale që duhet të kthehet, duke i ofruar klientit mundësinë e përdorimit të kuponit për të njëjtin shërbim ose një të ngjashëm, që i përket kontratës së ndërprerë, e cila do të përdoret brenda 1 (një) viti. Në rast se nuk realizohet shërbimi, sipas parashikimeve të pikës 1, të këtij neni, operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit t’i rimbursojnë klientit vlerën/shumë totale të paguar”.

Operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit, të cilët nuk e zbatojnë këtë akt normativ, përveç përmbushjes së detyrimeve kontraktuale ndaj klientit, dënohen me gjobë, për çdo kontratë të parealizuar./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme