Komuna e Prishtinës ka hapur thirrje publike për mbështetje të projekteve kulturore

18 Shtator, 2019 - 2:02 pm

Drejtoria e Kulturës, Komuna e Prishtinës, në bazë të rregullores për ndarjen e subvencioneve nga Komuna e Prishtinës ka hapur thirrje publike për mbështetje të projekteve kulturore për këtë vit.

Thirrja është e hapur për të gjithë individët, bizneset, organizatat joqeveritare të regjistruara në Republikën e Kosovës, programi i punës i të cilave është i fokusuar në fushën e kulturës.

OJQ-të, individët dhe bizneset, në përputhje me këtë thirrje publike, mund të aplikojnë me projektpropozimet  për organizimin e aktiviteteve kulturore si më poshtë:

Art vizual – figurativ: krijim i veprës së re, fuqizim i artistëve të rinj, ekspozitë, hulumtim kuratorial, instalime në hapësira publike, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknolgjik;

Botime: për fëmijë, për të rinj, romane, tregime, përkthime, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe hulumtime kulturore;

Festival: art figurativ, art në hapësira publike, arkitekturë, ekologji, film, letrar, shumë disiplinor, muzikë, folklore, teatër, teknologji informative, vallëzim etj.;

 Kinematografi: film dokumentar, filmi i shkurtër, film i animuar, fuqizimi i kinematografëve të rinj, titrim dhe zhvillim skenari;

Manifestime: shënimi i datave historike, shënimi i festave kombëtare dhe ndërkombëtare dhe shënimi i datave të tjera me rëndësi në Komunën e Prishtinës;

Mbështetje të aktiviteteve vjetore të organizatave dhe operatorëve kulturorë: aktivitete mujore, fuqizim i krijuesve të rinj, rezidencë artistike, debate, ligjërata dhe hulumtime;

Muzikë: kompozim i veprës së re, audio-incizim, koncert, fuqizimi i muzikantëve të rinj, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknologjik;

Shoqëri kulturoro artistike: mbështetje të aktiviteteve vjetore, blerja e kostumeve, blerja e instrumenteve dhe pjesëmarrje në festivale;

Teatër: prodhimi i shfaqjes, promovim dhe pjesëmarrje e shfaqjes në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknologjik;

Trashëgimi kulturore: fushata vetëdijesimi, pjesëmarrje në aktivitete për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, hulumtim, promovim i diversitetit kulturor, turizëm kulturor, platforma informative;  

 Vlera e përgjithshme e planifikuar e thirrjes është 85,000€ (Euro).

Shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo projekt    individual është 500€ (Euro), ndërsa shuma maksimale për një projekt është 11,560€ (euro).

Thirrja për mbështetje të projekteve kulturore nga Komuna e Prishtinës mbetet e hapur deri më 8 tetor 2019./ KultPlus.com

Të ngjajshme