Komuna e Prishtinës ndan 100 mijë euro për sportin

10 Prill, 2020 - 8:54 pm

Kuvendi i Komunës së Prishtinës në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar vendimin për pakon ekonomike emergjente pas situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë së koronavirusit.

Në mesin e 14 pikave të kësaj pakoje, KK i Prishtinës ka menduar edhe për klubet sportive të kryeqytetit. Në fakt prej muajit të shkuar me vendim të Qeverisë së Kosovës janë ndërprerë të gjitha aktivitetet sportive shkaku i koronavirusit.

“Subvencione për sport, në vlerë prej 100 mijë eurosh, për klubet në vështirësi për shkak të mosfunksionimit të garave”, shkruan në pikën 11 të pakos ekonomike emergjente.

Për zbatimin e këtij vendimi do të kujdesen kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Drejtoria e Financave dhe drejtoritë tjera relevante.

“Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas regjistrimit në Zyrën e protokollit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe publikimit në gjuhë zyrtare në ueb-faqen e Komunës”, thuhet në vendimin për miratimin e pakos ekonomike emergjente.

Të ngjajshme