Komuniteti shqiptar në Australi dhe valët e para të emigrimit

14 Maj, 2021 - 2:31 pm

Valët e para të emigrimit nga Shqipëria kanë arritur në Australi në vitet 1920-1930. Këta kanë qenë përgjithësisht grupe të vogla, shumica të ardhur nga Shqipëria e jugut, kryesisht nga zona e Korçës dhe u vendosën në qytezën Shepparton e në qytezat e Maribës; u punësuan në bujqësi, në kultivimin e duhanit dhe të kallamit të sheqerit. Këta emigrantë të parë, sollën më pas edhe familjet e tyre.

Vala e dytë e emigrimit ndodhi në fund të luftës së dytë botërore. Këta ishin kryesisht refugjatë, të cilët donin të iknin nga komunizmi. Shumica e personave të ardhur nga ish-Jugosllavia mundën të tërhiqnin familjet e tyre, por kjo nuk ndodhi me shqiptarët e ardhur nga Shqipëria. Emigrimi i shqiptarëve nga Shqipëria pothuajse përfundoi në atë kohë, me mbylljen e kufijve.

Vala tjetër e emigrimit filloi në vitet 1960. Këta ishin shqiptarë të ardhur nga ish-Jugosllavia. Shumica e tyre erdhi nga Maqedonia, por një pjesë erdhi edhe nga Kosova dhe Mali i Zi. Ata erdhën kryesish për arsye ekonomike, si dhe për ti shpëtuar sistemit represiv të Rankoviçit.

Vala tjetër e emigrimit është nga Kosova, në vitet 1990, pas ndryshimit të statusit të Kosovës nga regjimi i Millosheviçit.

Ka edhe shqiptarë nga Shqipëria që kanë ardhur në numër të vogël duke filluar nga vitet 90, dhe vazhdojnë të vijnë.

Gjithashtu në vitin 1999 erdhën dhe rreth 3000 shqiptarë nga Kosova, por shumica e tyre u kthyen me përfundimin e luftës. Rreth 300 prej tyre kanë mbetur dhe janë integruar në Australi.

Referuar Censusit Autralian të kryer nga “Australian Bureau of Statistics”, në vitet 2011 & 2016, në Australi rezultojnë të rregjistruar 13.141 shqiptarë që jetojnë në këtë vend, prej të cilëve 2396 janë shqiptarë të lindur në Shqipëri. Sipas rezultateve zyrtare, nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, në Australi ka përafërsisht 8000 persona që flasin shqip, dhe që janë të shpërndarë si më poshtë vijon:

Victoria : 6000
New South Wales: 810
Queensland: 420
South Australia: 340
West Australia: 255
Zona të tjera: 200

Por komuniteti shqiptar në Australi mendon se ky numër nuk është i saktë sepse shumë nga shqiptarët nuk i kanë plotësuar formularët e censusit në rregull, apo nuk kanë marrë pjesë fare. Gjithashtu ky numër nuk përfshin ata që janë me origjinë shqiptare, por që nuk flasin shqip.

Sipas të dhënave të mbledhura nga organizata të ndryshme të komunitetit shqiptar në Australi, dhe që mendohet se është shifër më e saktë se shifra zyrtare, ka rreth 20.000 shqiptarë (këtu përfshihen personat që kanë lindur jashtë si edhe fëmijët e tyre të lindur në Australi). Këta shqiptarë janë me origjinë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Shumica e tyre, rreth 8000 jetojnë në Viktoria, Melburn dhe janë me prejardhje nga trevat shqiptare të Maqedonisë: fshatrat e liqenit të Prespës dhe rrethi i Manastirit.

Shqiptarët në Australi përgjithësisht janë të integruar ne jetën e vendit dhe gëzojnë të njëjtin status juridik si të gjitha pakicat e tjera etnike që jetojnë e punojnë atje.

Në Victoria ka 4 shkolla të gjuhës shqipe; në zonat Dandenong, Heidleberg, Sunshine dhe Altona.

Shteti australian financon mësimin plotësues të gjuhës shqipe (një herë në javë prej klasës së parë fillore deri në klasën e 12-të), por kjo mundësi nga shqiptarët është shfrytëzuar shumë pak. Kjo gjë ka ndodhur pwr shkak se nuk është arritur numri i mjaftueshëm i nxënësve dhe interesi i treguar nga shqiptarët për këtë mësim plotësues shpresohet të rritet në nivelin që kërkohet. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com 

Të ngjajshme