13 Maj, 2025 - 1:31 pm
Një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, do të vijë në datat 16, 17 dhe 18 maj, nën titullin “Koncerti”. Vepra është dramatizimi i romanit të Stefan Çapalikut, “Një engjëll veshë me frak” dhe do të shfaqet në ArTurbina.
Ngjarjet vendosen në Shkodrën e viteve pesëdhjetë. Evropa është e ndarë në dy blloqe politiko-ideologjike. Në Shqipërinë e dominuar nga Enver Hoxha, një burrë bie nga ballkoni dhe vdes. Aksident? Vetëvrasje? Në diktaturë “nuk ka” vetëvrasje. Kush ishte ky njeri i quajtur Pol Gjakova? Ai ishte kompozitor. Çfarë do të thotë të jesh kompozitor në diktaturë? Të kompozosh çfarë dhe për kë, në Shqipërinë e viteve ‘50, apo sot në Evropë?
Këto janë disa nga pyetjet që ngre drama me regji dhe dramatizim të Giacomo Pedini-t. Në dramën “Koncerti” interpretojnë aktorët e mirënjohur Helidon Fino, Laert Vasili, Ilirda Bejleri, Matia Llupa e Ismail Shino./atsh/KultPlus.com