Konferenca e Paqes në Paris dhe Shqipëria

18 Janar, 2021 - 10:59 am

Me 18 janar 1919, filloi punimet Konferenca e Paqes e Parisit në një nga sallat luksoze të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Frances. Konferenca e Paqes, e para e këtij lloji për nga formati i pjesëmarrësve dhe problemet që pritej të zgjidhte, u mblodh pas konfliktit të madh botëror 1914-1918.

Fituesit e luftës u mblodhën për të vendosur një rregull të ri botëror që katastrofa të tilla mos të ndodhnin më. Për herë të parë mbërriti në Evropë Presidenti amerikan Wilson duke ballafaquar dy këndvështrime të ndryshme për rregullimet e pasluftës, atë amerikan mbështetur në 14 pikat e Willsoni ku spikaste parimi i vetvendosjes, dhe traditën e vjetër evropiane mbështetur në parimin e ruajtjes së ekujlibrave midis fituesve e shmangien e luftës. Në fakt në 20 vite filloi konflikti i dytë botëror duke nxjerrë në pah gabimet e vendimarrjes në Paris 1919. Zyrtarisht Konferenca e Paqes zgjati deri në vitin 1920, por në gjashtë muajt e parë të saj u morën vendimet kyçe dhe u vunë në lëvizje zinxhirët jetikë të ngjarjeve.

Në muajt që kaluan në Paris, në një hapësirë të re gjeopolitike të krijuar pas shembjes së 4 perandorive, paqbërësve iu desh; të vijëzonin kufij të rinj në hartën e Evropës, por edhe të mendonin për Azinë, Afrikën e Lindjen e Mesme, të përballeshin me nacionalizmat që lindën e u zunë vendin perandorive, të hartonin traktat paqeje me Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë e Bullgarinë, por edhe të gjenin mjetet që të shmangnin një konflikt tjetër e të ofronin siguri kolektive. Një i tillë do të ishte krijimi i Lidhjes së Kombeve. Kryetari i Konferencës, kryeministri francez Klemanso, iu ankua një kolegu “ Eshtë shumë më e thjeshtë të bësh luftë se të bësh paqe”.

Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore ishte kthyer në një shesh betejash midis paleve kundërshtare të cilat në fund të saj u ndanë në fitues e të humbur. Elita politike shqiptare u angazhua që atdheu i tyre të mos humbiste në pazaret e mëdha të Konferencës së Paqes, dhe të gjendej një mbështetës i madh dhe i interesuar për Shqipërinë midis Fuqive fituese të luftes. Më të interesuarat dhe simpatizante të pavarësisë së Shqipërisë ishin Italia dhe SHBA.

Në dhjetor 1918 nën kujdesin e Italisë, një ndër mbeshtetëset e pavarësisë së Shqipërisë në 1913, u krijua Qeveria e Përkohshme e Durrësit e cila do të dërgonte delegacionin e saj zyrtar si përfaqësuese në Paris, të kryesuar nga kryeministri Turhan Pasha. Në Paris mbërriti edhe një delegacion i kryesuar nga Esat Pasha në cilësinë e kryetarit të vetëshpallur të qeverisë shqiptare. Ky dualizëm në përfaqsim nuk i bënte dobi trajtimit të statusit të Shqipërisë i cili pas Luftës së Parë Botërore dhe ndryshimeve të ndodhura ishin vënë përsëri në diskutim. Në kryeqytetin francez, për të mbështetur qeverinë e Durrësit dhe të ardhmen e pavarësisë së Shqipërisë dhe kufijve të saj territorial, mbërritën edhe përfaqësues të kolonive shqiptare në SHBA, Rumani, Turqi, etj, të cilat herë pas here organizonin takime të përbashkëta me delegacionin zyrtar të Shqipërisë.

Në ceremonine e festimeve për Ditën e Pavarësisë së Amerikës, në 4 korrikut 1918, Fan Noli i ftuar si përfaqësues i shqiptarëve në Amerikë, arriti të takonte presidentin Willson dhe ti fliste për Shqipërinë dhe nevojën për mbështetje nga SHBA në Konferencën e Paqes. Pasi e dëgjoi me vëmendje Nolin, Willson u përgjigj “ Une do të kem një zë në Konferencën e Paqes dhe do ta përdor këtë zë edhe në emër të Shqipërisë”.

Shqiptarët kudo ndodheshin, mbështetën platformën dhe qëndrimin e delegacionit shqiptar për rinjohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe paprekshmërinë se saj territoriale duke korrigjuar gabimet e së shkuarës. Ata demostruan kohezion e vitalitet, duke lënë mënjanë përkatësinë fetare e krahinore, duke demostruar në këtë mënyrë vlerat më të mira evropiane në mbrojtje të të drejtave të tyre .

Nga Konferenca e Paqes në Paris, Shqipëria doli pa një zgjidhje finale për çështjen e statusit të saj dhe kufijve tokësorë, por ama shpëtoi nga platformat copëzuese të trungut të saj të diskutuara në këtë Konferencë, e kjo falë mbështetjes së madhe të SHBA. Çështja shqiptare do të ridiskutohej përsëri në Konferencën e Ambasadorëve 1921, ku do të merrej vendimi final për Shqipërinë në kushte të reja pas krijimit të Lidhjes së Kombeve 1920. / KultPlus.com

Të ngjajshme