Konferenca e Sigurisë, Kurti: Zhvilluam 17 takime bilaterale me liderë e përfaqësues nga Evropa e bota

21 Shkurt, 2022 - 1:55 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, kanë marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku edhe kanë zhvilluar disa takime, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti njofton qytetarët për gjitha takimet që ka zhvilluar dhe gjithashtu çfarë është diskutuar.

“Për marrëdhëniet bilaterale dhe fushat e bashkëpunimit biseduam me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, me kryeministrin e Bullgarisë, Kiri Petkov, dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimistar Kovaçevsik”, shkroi i pari i shtetit.

Në anën tjetër, Kurti njofton se së bashku me presidenten Vjosa Osmani, kanë takuar kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, ku theksuan rëndësinë e njohjes së shtetit të Kosovës nga Greqia, si hap i radhës i natyrshëm drejt thellimit të mëtutjeshëm të raporteve mes dy shteteve. Në takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák u diskutua për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Konferenca e Sigurisë është një takim vjetor për politikën ndërkombëtare. /KultPlus.com

Të ngjajshme