Konferenca Ndërkombëtare e Antropologjisë do të zhvillohet në Shqipëri

27 Shtator, 2022 - 2:47 pm

Konferenca ndërkombëtare e International Association of Southeast European Anthropology (InASEA) për vitin 2024 do të organizohet në Shqipëri.

Propozimi i dr. Olsi Lelajt që konferenca e radhës të mikpritet dhe të organizohet në Shqipëri, në drejtimin e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA), mori mbështetjen e plotë nga anëtarët e organizatës, në mbledhjen e fundit që mbajti Asambleja e Përgjithshme e InASEA.

Me një anëtarësi prej mbi 300 studiuesish dhe e themeluar në vitin 1996, InASEA është aktualisht shoqata më e madhe e profesionistëve dhe institucioneve kryesore publike në fushën e dijes antropologjike, etnologjike, folklorit, antropologjisë historike dhe fushave të ngjashme për Europën Juglindore.

Ndaj, organizimi i kësaj konference, jo vetëm që do të jetë një mundësi e mirë për të parashtruar kërkimet e zhvilluara në fushën e antropologjisë shqiptare, por mbi të gjitha, do të jetë një moment historik pasi Shqipëria do të bëhet një qendër gravitacionale për antropologjinë europiane, e ku studiuesit më të mirë dhe institucionet kryesore në fushën e antropologjisë për Europën Juglindore, do të paraqesin dhe debatojnë risitë kërkimore.

Sipas dr. Olsi Lelaj, drejtues i departamentit të Etnologjisë në IAKSA, Akademia e Studimeve Albanologjike ka eksperiencën shkencore dhe teknike, si dhe partneritetet e duhura kombëtare dhe ndërkombëtare për organizimin e një ngjarjeje shkencore të madhe siç është Konferenca e 11-të e InASEA që do të mbahet në vitin 2024. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme