4 Qershor, 2025 - 11:47 am
Në Akademinë e Shkencave u mbajt konferenca e tretë ndërkombëtare e Institutit Kombëtar të Fizikës (IKF). Meqenëse 2025-a është shpallur viti ndërkombëtar i teknologjisë kuantike, konferenca u përqendrua tek arritjet madhore në këtë fushë.
Në këtë edicion u realizuan 24 prezantime nga 70 studiues të njohur: 17 nga Shqipëria, 4 nga trojet shqiptare, 10 fizikanë shqiptarë të diasporës dhe 39 studiues të huaj nga institucione prestigjioze europiane dhe amerikane, si: Robert Mochkovitch (Instituti i Astrofizikës, Paris), Silvano Tosi (Universiteti i Gjenovës), dhe përfaqësues të CERN-it.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi vlerësoi rolin e IKF-së si një qendër bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet institucioneve shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ai theksoi angazhimin e ASHSH-së në përballimin e sfidës së emigrimit të trurit dhe në promovimin e dijeve bashkëkohore në fizikë, duke nxitur ekselencën dhe krijimin e një hapësire të përbashkët për fizikanët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
Akad. Gjinushi nënvizoi gjithashtu përfshirjen aktive të shkencëtarëve shqiptarë të diasporës, të cilët kontribuojnë në punën e IKF-së njësoj sikur të ishin në Shqipëri.
Tema e seancës së parë plenare ishte “Fizika kuantike”, e moderuar nga drejtoresha e IKF-së, akad. Mimoza Hafizi. Në këtë seancë, akad. Rexhep Meidani prezantoi referatin e tij mbi problemin e matjes në teorinë kuantike, ndërsa akad. Floran Vila dhe prof. dr. Fatos Ylli sollën kumtesën mbi kontributin e teorisë kuantike në strukturën atomike dhe aplikimet praktike të saj.
Prof. dr. Robert Mochkovitch nga Instituti i Astrofizikës në Paris foli mbi “Shpërthimet e rrezeve gamma – shpërthimet më të fuqishme në Univers”, ndërsa Silvano Tosi nga Universiteti i Gjenovës paraqiti temën mbi misionin “Euclid” dhe studimin e universit të errët.
Sesioni i dytë, i moderuar nga Silvano Tosi, përfshiu prezantimet e studiuesve: Albi Kerbizi (Universiteti Lund & INFN Trieste), Sefer Avdiaj (Universiteti i Prishtinës) dhe Dalin Boriçi (Universiteti Paris Cité), me tema që përfshinin ndërveprimet elektron-elektron në kavitete të modifikuara, fazat kuantike fraksionale të Hall-it, dhe modelimin e korrelacioneve kuantike.
Sesioni i tretë dhe i katërt i ditës së parë, të moderuara nga prof. Dodë Prenga (Departamenti i Fizikës, FSHN) dhe dr. Margarit Gjoka (INN, NCSR Demokritos, Greqi), iu kushtuan fizikës së trupit të ngurtë dhe shkencës së materialeve.
Dita e dytë e konferencës përfshiu dy sesione tematike: “Fizika kompjuterike, simulimet dhe fizika mjekësore”, i moderuar nga dr. Albi Kerbizi, dhe “Kozmologji dhe astrofizikë”, i moderuar nga prof. dr. Robert Mochkovitch.
Në mbyllje të konferencës dyditore, u paraqitën konkluzionet mbi rëndësinë e shpërndarjes së rezultateve më të fundit të kërkimit shkencor në fizikë dhe teknologjinë kuantike, duke përfshirë edhe mësimdhënien. U diskutua gjithashtu mbi konsolidimin e rrjetit të bashkëpunimit ndërmjet fizikanëve shqiptarë dhe të huaj, si dhe zgjerimin e mëtejshëm të IKF-së me anëtarë të rinj. /atsh/ KultPlus.com