Konsullata e Kosovës në Nju Jork mirëpret Besarta Jasharin, Vasfije Krasniqin dhe Kadrije Tahirajn

13 Maj, 2022 - 8:49 pm

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork ka mirëpritur Besarta Jasharin, të mbijetuarën e familjes Jashari, Vasfije Krasniqi-Goodman, deputete e Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe Kadire Tahiraj nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, përcjell KultPlus.

Lajmin është bërë i ditur në faqen zyrtare në Facebook të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork.

Në vijim gjeni postimin e plotë:

Ishte nder e kënaqësi të presim në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork zonjën Besarta Jashari, e mbijetuar e familjes legjendare, Jashari, zonjën Vasfije Krasniqi-Goodman, deputete e Parlamentit të Republikës së Kosovës, dhe zonjën Kadire Tahiraj nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, Drenas.

Besarta dhe Vasfija, si askush tjetër në Kosovë, personifikojnë dhembjen, vuajtjet, sakrificën e luftës së Kosovës. Por, ato janë edhe krenaria jonë! Janë dëshmi se liria e popujve kërkon sakrificë, kërkon vetëmohim.

Familja Jashari, me sakrificën e saj, ka shtyrë kufijtë e atdhedashurisë në pikën e paarritshme për çdo gjeneratë që vjen pas saj. Besarta është dëshmia e gjallë se ideja për liri është më e fuqishme, sesa ideja kriminale për të shuar jetën e njerëzve.

Vasfija është dëshmi e guximit të një gruaje të hekurt, e cila sot shërben si frymëzim për të gjitha gratë tjera për të rrëfyer pa frikë krimet serbe në Kosovë.

Si shoqëri, në mënyrë që të mos arrihen efektet që dhunuesit i kishin për synim, jemi të obliguar, moralisht e kombëtarisht, që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për këtë kategori, që ta rehabilitojmë shpirtërisht e moralisht atë, në familje, në rreth e në institucione. Këtë kategori, e cila na prek mendjen dhe zemrën e të gjithë neve./ KultPlus.com

Të ngjajshme