Kosnett falënderon qytetarët e Kosovës për solidaritetin e shfaqur për vdekjen e Floyd

5 Qershor, 2020 - 6:00 pm

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka shprehur falënderim ndaj qytetarëve të Kosovës të cilët bashkëndjenë për vdekjen e George Floyd.

Në një mesazh të publikuar së fundi, Kosnett shprehet se autoritetet e shtetit federal dhe populli amerikan, janë të përkushtuara thellësisht për drejtësi për Floyd dhe familjen e tij, njofton Klan Kosova.

”Dëshiroj t’i falënderoj ata qytetarë të Kosovës që kanë shprehur ngushëllimet dhe brengën e tyre për vdekjen e Xhorxh Flojdit (George Floyd). Qeveria federale, si dhe autoritetet e shtetit federal dhe ato lokale – dhe populli amerikan – janë thellësisht të përkushtuara për drejtësi për Z. Floyd dhe familjen e tij.

Presidenti Trump ka deklaruar: „Vdekja e George Floydit në rrugët e Mineapolisit ishte tragjedi e rëndë, që nuk do të duhej të kishte ndodhur kurrë. Ajo i ka mbushur amerikanët anembanë vendit me ndjenjë të tmerrit, zemërimit dhe pikëllimit”… Prokurorët kanë ndërmarrë hapa të shpejtë për ngritjen e akuzës, duke respektuar plotësisht një proces të drejtë për të gjithë të përfshirët në rast.

Si amerikan dhe si njeri, e ndaj zemërimin për vdekjen e Z. Floyd dhe i kam shikuar ngjarjet që pasuan në rrugët e qyteteve amerikane me shqetësim të thellë. Përderisa vazhdojmë të përfytemi me diskriminimin në jetën dhe drejtësinë amerikane, objektet si Memoriali Kombëtar për Paqe dhe Drejtësi dhe Muzeu i Trashëgimisë (https://museumandmemorial.eji.org/memorial) na ndihmojnë të ekzaminojmë të kaluarën në mënyrë të sinqertë dhe ta dyfishojmë vendosmërinë tonë për të mundësuar drejtësinë në të tashmen.

Unë besoj se Amerika do të dalë nga ky çast i tmerrshëm më e fuqishme dhe edhe më e përkushtuar për të gjetur rrugën përpara për të përmbushur premtimin historik të të drejtave të barabarta dhe drejtësisë së barabartë për të gjithë qytetarët. Kjo do të kërkojë veprim të bashkërenditur të qeverisë dhe qytetarëve, me ndihmën e shtypit të lirë. Të njëjtën gjë e duam edhe për Kosovën”.

Të ngjajshme