Kosova e gatshme për dialog parimor, Kurti takon Lajcakun, Plotner dhe Bonne

9 Shtator, 2022 - 1:50 pm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, z.Jens Plötner dhe z.Emmanuel Bonne.

U theksua se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.

Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.

Ai falënderoi z. Lajčák, si dhe këshilltarët z.Plötner dhe z.Bonne, për angazhimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor .

Takimi vije pas propozimit në letrën e përbashkët të Kancelarit Scholz dhe Presidentit Macron, drejtuar Kryeministrit Kurti, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajčak, në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi i dialogut të lëvizë përpara shpejt. /KultPlus.com

Të ngjajshme