“Kosova në Tinguj” – Koncert i veçantë nga Opera e Kosovës

23 Qershor, 2025 - 12:10 pm

Opera e Kosovës ka paralajmëruar mbajtjen e një koncerti të veçantë me titullin “Kosova në Tinguj”, i cili do të zhvillohet të enjten, më 26 qershor 2025, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, duke filluar nga ora 20:00.

Ky koncert i dedikohet krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë dhe përfaqëson një përkushtim ndaj trashëgimisë muzikore kombëtare. Përmes përpunimeve për zë dhe orkestër harkore, publikut do t’i ofrohen interpretime të veçanta që vënë në pah vlerat e qëndrueshme të muzikës sonë.

Nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani, në skenë do të ngjiten sopranot Adelina Paloja, Kaltrina Miftari dhe Zana Abazi Ramadani. Programi do të pasurohet edhe me interpretimet solistike të dy instrumentistëve të njohur: Ëmbla Dana në flaut dhe Lum Haxhijakupi në klarinetë.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Operës së Kosovës për promovimin e repertorit kombëtar dhe për forcimin e pranisë së muzikës shqiptare në skenën institucionale kulturore./KultPlus.com

Të ngjajshme