Kosova përgatitet për të ardhmen rreth krizave të energjisë elektrike

30 Dhjetor, 2021 - 3:17 pm

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 52-të, ka miratuar Koncept Dokumentin për Burime të Ripërtërishme të Energjisë të propozuar nga Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga prioritetet e përcaktuara në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025, është krijimi i kushteve për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që synohet të arrihet nëpërmjet teknologjisë dhe energjisë së pastër e të përballueshme.

Ky koncept dokument ka për qëllim të arrijë përmirësimin e infrastrukturës ligjore me qëllim të rritjes së furnizimit me energji të pastër, rritjen e sigurimit të furnizimit me energji, promovimin e inovacionit teknologjik dhe ofrimin e mundësive për punësim dhe zhvillim rajonal përmes industrisë së energjisë së pastër.

Qëllimi i politikave të burimeve të ripërtërishme të energjisë është promovimi i shfrytëzimit ekonomik e të qëndrueshëm të potencialeve vendore të burimeve të ripërtërishme të energjisë, në funksion të plotësimit të nevojave për energji, rritjes së sigurisë së furnizimit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Për këtë ka reaguar edhe Ministrja Rizvanolli e cila ka thënë se zhvillimi i kapaciteteve vendore të Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë do të kontribuojë në diversifikimin e burimeve tona të energjisë dhe do të na ndihmojë që në të ardhmen të jemi më të përgatitur për t’u përballur me kriza të energjisë. /KultPlus.com

Të ngjajshme