Kosova pranohet si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual

4 Gusht, 2025 - 4:58 pm

Kosova është pranuar si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:

📣 Lajm i jashtëzakonshëm për arsimin në Kosovë!

Pas anëtarësimit me të drejta të plota në EQAR, edhe një arritje tjetër, kësaj radhe në arsimin profesional. Kosova është pranuar si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze.

Kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme për MASHTI-n, pasi anëtarësimi lidhet drejtpërdrejt me përkushtimin tonë për të fuqizuar arsimin profesional dhe për ta afruar atë me nevojat e tregut të punës.

Synimet tona përfshijnë:

-Përfshirjen aktive të sektorit privat;

-Krijimin dhe funksionimin e Këshillave Sektoriale të Shkathtësive;

-Përmirësimin e qeverisjes së shkollave profesionale;

Përmes këtij anëtarësimi, Kosova fiton mundësinë të bashkëpunojë me shtete të tjera në forcimin e praktikave cilësore, mobilitetit të praktikantëve dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike me kompani, organizata rinore, dhoma të tregtisë dhe institucione arsimore nga e gjithë Evropa.

EAfA është një platformë gjithëpërfshirëse që nxit:

✔ Praktika profesionale cilësore dhe efektive
✔ Mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
✔ Angazhim të autoriteteve vendore dhe partnereve socialë
✔ Pjesëmarrjen aktive të praktikantëve në vendimmarrje

Praktikat profesionale ndihmojnë të rinjtë të kalojnë më lehtë nga arsimi në punësim, duke fituar aftësi praktike në një mjedis real pune.

🌍 Anëtarësimi i Kosovës në EAfA i hap rrugë mundësive të reja për zhvillimin e arsimit profesional dhe përforcon pozitën tonë si vend që synon cilësinë, bashkëpunimin dhe përafrimin me standardet evropiane.

Pas aplikimit, si Ministri e Arsimit kemi punuar dhe arritur standardet e nevojshme të kërkuara për t’u pranuar në EAfA.

Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar me përkushtim dhe profesionalizëm në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e arsimit në vend./KultPlus.com

Të ngjajshme