9 Gusht, 2025 - 7:53 pm
Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll ka shënuar një fitore të madhe në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Egjipt. Të shtunën, në arenën “Hassan Moustafa” pranë Kajros, djemtë tanë triumfuan me rezultat bindës 32:22 ndaj ekipit të Marokut.
Pas dy humbjeve në ndeshjet e para ndaj Zvicrës dhe Hungarisë, kjo fitore përfaqëson një kthesë pozitive për Kosovën, që tani avancon nga pozita e tretë në grupin B, me dy pikë në total.
Ndeshja ishte e tensionuar, por djemtë tanë mbajtën vazhdimisht epërsi gjatë gjithë pjesës së dytë. Suad Pajaziti u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, me tetë gola nga dhjetë tentime, ndërsa performanca e Olt Kabashit në portë ishte vendimtare me pritjet e shumta.
Në fitoren e ekipit kontribuan edhe golat e Olsi Mulajt (6 gola), Drijon Istefit (5 gola) dhe Amar Muqollit (4 gola), si dhe përpjekjet e gjithë lojtarëve në fushë.
Kombëtarja jonë do të pushojë të dielën dhe do të vazhdojë garën me ndeshjen e radhës të hënën./KultPlus.com