Kosovare Asllani shënon golin e parë historik për London City Lionesses në Superleague

6 Shtator, 2025 - 7:25 pm

Futbollistja me prejardhje nga Kosova, Kosovare Asllani, ka hyrë në histori si golashënuesja e parë e ekipit londinez London City Lionesses në Superleague.

Në ndeshjen hapëse të edicionit të ri kundër Arsenalit, Asllani realizoi në minutën e 17-të nga penalltia, duke i dhënë epërsi të përkohshme skuadrës së saj. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për t’i shmangur humbjen, pasi takimi u mbyll me rezultat 4:1 për Arsenalin, transmeton KultPlus.

Mediat suedeze, mes tyre edhe “dn.se”, e kanë cilësuar këtë gol si moment historik për klubin e themeluar në vitin 2019, i cili këtë sezon debuton në elitën e futbollit anglez për femra. Përveç Asllanit, pjesë e skuadrës janë edhe futbollistet suedeze Julia Roddar dhe Sofia Jakobsson, të cilat u aktivizuan në ndeshjen e djeshme.

Me këtë paraqitje, Asllani jo vetëm që konfirmon rolin e saj si lojtare kyçe, por gjithashtu e shkruan emrin në historinë e klubit londinez./KultPlus.com

Të ngjajshme