Kosovarët të dhënë pas “dukatit”, për 8 muaj blenë 360 kg në vlerë të 1.5 milionë eurove

20 Shtator, 2019 - 6:15 pm

Dita-ditës vendi më i varfër në rajon po mbushet me ari. Vetëm gjatë këtij viti në vend kanë hyrë mbi 360 kilogramë metale të çmuara, vlera e të cilave sillet rreth 1.5 milion euro.

Sipas statistikave të Doganës së Kosovës në pesë vitet e fundit janë importuar metale të çmuara në vlerë prej më shumë se 7 milionë euro, derisa vendet ku blehet më shumë ar  dhe metale tjera janë Turqia dhe Italia.

Përderisa një pjesë e madhe e qytetarëve në vend e kalojnë gjithë ditën me vetëm 1 euro e 70 centë, të tjerë po i shpenzojnë paratë e tyre në luks. Një pjesë të mirë të hyrave vjetore, kosovarët i shpenzojnë çdo vit duke blerë ari.

Madje, nëse shikohen statistikat e Doganës së Kosovës del se për çdo vit ata shpenzojnë mbi 1 milionë euro në metale të çmuara.

Miliona në ari, kosovarët po del të kenë shpenzuar edhe gjatë viteve të kaluara.

Sipas statistikave të Doganës, vetëm gjatë pesë viteve të fundit ata kanë shpenzuar hiç më pak se 7 milionë e 340 mijë e 467 euro në ari. Me gjithë këto para janë blerë mbi 2 mijë e 600 kilogramë metale të çmuara.

Ndërkohë, vendet prej të cilave janë importuar janë kryesisht Turqia dhe Italia, por jo vetëm.

Kosovarët blejnë ari edhe nga Austria, Zvicra, Kina, Gjermania, Spanja, Polonia, Republika Qeke e Tajlanda. Ndërkohë, një sasi e arit viteve të fundit është blerë edhe nga Tajvani, Kamboxhia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës./gazetaexpress/KultPlus.com

Të ngjajshme