17 Qershor, 2025 - 4:17 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se Kosova ka përfunduar me sukses Kampionatin Botëror të Xhudos, duke fituar dy medalje falë paraqitjeve të shkëlqyera të Distria Krasniqit dhe Laura Fazliut.
Distria Krasniqi siguroi medaljen e argjendtë, ndërsa Laura Fazliu fitoi medaljen e bronztë – e dyta në karrierën e saj në këtë garë prestigjioze. “Me qetësi dhe vendosmëri, ajo u ngjit sërish në podiumin e shkëlqimit, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe forcën e kampionëve tanë,” ka shkruar Kurti.
Me këto dy medalje, Kosova arrin në dhjetë numrin e përgjithshëm të medaljeve botërore në xhudo, që është dyfishi i medaljeve olimpike të fituara deri tani.
Kurti ka përgëzuar xhudistet, trajnerin Driton Kuka, Federatën e Xhudos dhe të gjithë komunitetin sportiv për suksesin./KultPlus.com