Krasniqi: Për traumën kolektive nuk ka pasur një program adekuat rehabilitimi

7 Dhjetor, 2020 - 2:35 pm

Publicisti dhe shkrimtari, Milazim Krasniqi ka shpërndarë në profilin e tij në facebook opinionin e tij për pasojat e luftës dhe rehabilitimin kolektiv të tyre, shkruan KultPlus.

Profesori universitar në shkrim ka theksuar se arsyeja e mjerimit të shoqërisë sonë qëndron në traumën e marrë nga vrasjet, ekzekutimet, dhunimet, dëmtimet materiale që kanë ndodhur gjatë luftës.

Të gjitha këto Krasniqi mendon se nuk kanë gjetur një program adekuad të rehabilitimit shoqëror.  Madje sipas tij, periudha e pasluftës është mbushur me triumalizma, militantizma dhe narracione të pavërteta.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Krasniqit:

Njëra nga arsyet pse shoqëria jonë është bllokuar në mjerimin e vet, ka të bëjë me traumën e pashëruar nga spastrimi etnik dhe gjenocidi serb. Shumica e ne shqiptarëve të Kosovës kemi kaluar nëpër përvoja të tmerrshme gjatë luftës, që nga ekzekutimet e familjarëve dhe të afërmve, dëbimeve nga shtëpitë, djegiet e shtëpive dhe të pronave të tjera, mbajtja në kampe përqendrimi, dhunimet e numërta të grave e të burrave, zhdukja e kufomave të të ekzekutuarve. Të gjitha këto tragjedi kanë mbetur të gravuara në kujtesë, pa u shëruar kurrë. Për shërim të traumës kolektive e individuale nuk ka pasur një program adekuat shoqëror rehabilitimi.Nuk ka pasur as debat të sinqertë e hapur lidhur me atë që na ka ndodhur si popull. Përkundrazi, pas çlirimit e tërë tragjedia është mbuluar si me vello nuseje nga triumalizmi, nga militantizmi dhe narracione të pavërteta. Këto narracione të pavërteta , shoqërinë e traumatizuar e ka bërë edhe shoqëri gënjeshtare. Nga ana tjetër, si ikje nga lemeria, ajo traumë e lemerishme, është konvertuar edhe në frikë nga pushtetarët e rinj, në gjunjëzim para atyre që morën oreolin e fitimtarëve. Shoqëria jonë nuk pati energji e guxim të ngrihej në këmbë, të adresonte përgjegjësinë dhe të bëhej sovrane, në kushtet e lirisë. Vazhdoi të jetonte në frikë, të votonte në frikë, të duronte në frikë. Këtu jemi edhe tash, njëzet vjet pas injektimit të traumës, shoqëri thellësisht e traumatizuar dhe e frikësuar, një shoqëri që aktron se gjoja është shoqëri e rehabilituar nga trauma dhe e liruar nga frika, pa qenë e rehabilituar nga trauma dhe pa qenë e liruar nga frika.23 gusht 2019 / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme