Kreu i IKSHKP-së: Situata me pandeminë e rënduar, dikush po punon e dikush po bën sehir

25 Korrik, 2020 - 10:09 am

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, thotë se aktualisht gjendja epidemiologjike në vend është e rëndë. Thotë se me rritjen e numrit të rasteve me Covid-19, ata po punojnë në vazhdimësi për të mbajtur situatën nën kontroll.

“Duke pasur parasysh se ne tashmë në mënyrë maratonike po e përcjellim situatën epidemiologjike unë mund të them se situata epidemiologjike është e rënduar dike pasur parasysh rastet e javëve të fundit të cilat kanë shënuar rritje e të cilat praktikisht edhe pse kjo rritje është në përcjellje t krahasimit të njëjtë pothuajse me shtetet e rajonit dhe botës prapë se prapë ne e konsiderojmë se është një situatë epidemiologjike e rënduar sepse të cilën ne po përkujdesemi që sa më shumë ta kemi nën mbikëqyrje, nën kontroll dhe sa më shumë të gjurmojmë raste në mënyrë që të ketë numër sa më të pakët të rasteve pozitive por në anën tjetër ky gjurmim i rasteve po na e ndriçon konceptin e mëtutjeshëm epidemiologjik që ne të marrim masa të vazhdueshme në bashkëpunim me të gjithë qytetarët”, tha Ramadani për RTK-në, transmeton KultPlus.

Ai tha se në luftimin e suksesshëm të pandemisë duhet të punojnë të gjithë.

“Epidemia menaxhohet nga ne të gjithë. Secili në këtë vend e ka rolin e vetë të caktuar dhe në këtë rol ne duhet ta gjejmë secili vetveten. Secili jep kontributin e vetë për aq sa mundet dhe di dhe secili jep kontributin e vetë për aq sa është i autorizuar. Në situatën epidemiologjike secili institucion dhe secili individ e kanë detyrën e vetë caktuar. Nuk munden disa të rrinë duarkryq e disa të punojnë mbi 10 fish, 20 fish ose 30 fish më tepër për ta mbajtur nën mbikëqyrje situatën epidemiologjike e të tjerët të bëjnë sehir anash…Kur them duke punuar dhe duke ndenjur flas për të gjithë veç e veç. Përmenda çështjet e individëve dhe të disa institucioneve, qofshin publike, qofshin private, qofshin agjencione, qofshin degë të ekonomisë të cilat nuk po i zbatojnë masat të cilat qeveria i ka përcaktuar në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar”, tha ai.

Ramadani thotë se sëmundja do të parandalohej nëse të gjithë do të mbanin maska, të mbanin distancën dhe higjenën personale.

Ai thotë se në këtë mes duhet të luajë rol edhe shteti me inspektoratin dhe policinë.

“Nëse nuk mund të mbash distancën duhet mbajtur maska”, tha Ramadani. / KultPlus.com

Të ngjajshme