Krijimi i ‘botës online’, kërkohen 10 mijë evropianë për dimensionin e ri të Facebook-ut

18 Tetor, 2021 - 7:54 pm

Facebook po krijon “botën online”. Për këtë planifikon të punësojë 10 mijë persona në vendet e Bashkimit Europian për të zhvilluar të ashtuquajturin “univers virtual”.

Me anë të kësaj platforme, të quajtur metaverse, përdoruesit mund të luajnë lojëra, punojnë dhe komunikojnë në një mjedis virtual, shpesh duke përdorur dhe pajisjen VR, transmeton KultPlus.

Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, ka udhëhequr punën për këtë koncept të ri. “Universi virtual ka potencial të ndihmojë në zhbllokimin e mundësive të reja kreative, sociale dhe ekonomike. Europianët do t’i japin formë atij që prej fillimit”, tha Facebook përmes një deklarate.

Njoftimi vjen teksa Facebook përballet me një sërë problemesh dhe skandalesh dhe thirrjet ndaj rregullatorit për të kufizuar ndikimin e tij. Për vendet e reja të punës që do të krijohen në 5 vitet e ardhshme do të kërkohen inxhinierë me specializim tepër të lartë. Gjigandi teknologjik thotë se investimi në Bashkimin Europian ofron shumë avantazhe, përfshirë qasje në një treg më të madh konsumatorësh dhe talente të cilësisë shumë të lartë të universiteteve prestigjioze, transmeton tutje KultPlus.

Facebook e ka shndërruar krijimin e botës online, një ndër prioritetet më të mëdha të tij. Pavarësisht historikut të blerjes së rivalëve, gjigandi teknologjik pretendon se “universi virtual” nuk do të ndërtohet brenda natës dhe nga një kompani e vetme.

Marrë shkas nga kjo, Facebook premton të bashkëpunojë dhe me kompani të tjera. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme