Kriza energjetike – edhe Zvicra mund të ketë ndërprerje të energjisë elektrike

23 Dhjetor, 2021 - 3:43 pm

Kriza energjetike që ka kapluar shumë vende të Evropës, duket se nuk do të përfundojë aq lehtë sa pritej fillimisht, transmeton KultPlus.

Së fundmi është paralajmëruar se Zvicra mund të mbetët në errësirë nga ndërprerja bërthamore franceze.

Në Francë, 15 reaktorë bërthamorë nga 56 gjithsej, u mbyllën ditët e fundit për shkak të punëve të mirëmbajtjes ose prishjeve.

Meqenëse Zvicra importon energji elektrike në dimër nga vendet fqinje dhe Franca është një nga furnizuesit e saj, ekziston shqetësimi për ndërprerjet e energjisë elektrike gjatë festave të Krishtlindjeve, shkruajnë mediat zvicerane.

Komisioni Federal i Energjisë Elektrike, megjithatë, tha se pavarësisht mbylljes së termocentraleve në Francë, “siguria e furnizimit me energji elektrike të Zvicrës nuk është e kërcënuar në këtë moment”.

Por, sipas një raporti nga Departamenti Federal i Mjedisit, Transportit, Energjisë dhe Komunikimeve (DETEC), disa faktorë mund të kontribuojnë në mungesën e energjisë elektrike në Zvicër dhe “mosdisponueshmëria e 30 për qind e flotës bërthamore franceze është pjesë e saj”.

Zviceranët mund të fajësojnë Francën, nëse për pak ditë do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike. /Albinfo.ch /KultPlus.com

Të ngjajshme