14 Korrik, 2025 - 6:43 pm
Porti i Durrësit edhe këtë sezon turistik është kthyer në ndalesën e kroçerave me turistë të huaj, të cilët ndalojnë për të vizituar qytetin bregdetar por jo vetëm.
Gjatë fundjavës që lamë pas në kalatën nr. 5 në portin e Durrësit u ankorua anija luksoze “Nautica”, duke sjellë në bregdetin tonë 676 vizitorë nga SHBA, Australia dhe vende të tjera të botës.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga mbërritja e turistëve në port, të cilët më pas vizituan Durrësin dhe zonat përreth.
“676 turistë nga SHBA, Australia dhe vende të tjera të botës janë ndalur këtë fundjavë në Portin e Durrësit me anijen kroçerë “Nautica”, ndërsa kanë eksploruar sitet historike të qytetit bregdetar dhe bukuritë e zonave përreth, duke përjetuar edhe mikpritjen e pashoqe shqiptare”, shkruan Rama.
Anija “Nautica”, me gjatësi 182 m dhe kapacitet për 684 udhëtarë, lundroi nën flamurin e ishujve Marshall dhe është pjesë e flotës prestigjioze të Oceania Cruises.
Gjatë ndalesës në Durrës, turistët eksploruan sitet historike të qytetit dhe bukuritë e zonave përreth, duke përjetuar mikpritjen shqiptare dhe ofertat autentike që ofron destinacioni ynë bregdetar./atsh/KultPlus.con