Kryeministri Kurti: Adem Jashari lirinë e tij individuale e përbashkoi me lirinë e popullit të tij

5 Mars, 2024 - 11:20 am

Kryeministri Kurti në seancën solemne për shënimin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK’së ka thënë se më 5, 6 dhe 7 mars, populli i Kosovës bëri një kapërcim të madh në rrugën e gjatë për liri.

Ai tha se lufta çlirimtare e Adem Jasharit përmbledh një trashëgimi politike, kulturore dhe kombëtare nga e cila ka ardhë liria e Kosovës.

“Epopeja e UÇK’së, përkatësisht historia e luftës së armatosur të Adem Jasharit, së familjes Jashari të Prekazit dhe të gjithë atyre që ecën bashkë me ta dhe pas tyre në rrugën e çlirimit përmbledhin një trashëgimi politike, kulturore dhe kombëtare nga e cila ka ardhur liria e Kosovës dhe mbi të cilën është ndërtuar edhe vetë shteti sot. Kosova është çliruar pres Serbisë okupatore pikërisht nëpërmjet trashëgimisë  politike që e prodhoi personalitetin dhe figurën e Adem Jasharit. Nga po kjo trashëgimi është ngritur dhe po ndërtohet e forcohet edhe shteti ynë. E kam fjalën për trashëgiminë e dalë nga kultura e rezistencës së armatosur dhe aktivizmit të kulluar politik sidomos që nga Lidhja e Prizrenit e këtej që i ka karakterizuar shqiptarët e veçanërisht Kosovën. Sepse vërtetë rezistenca e Jasharajve të Prekazit është unike në vetvete, por ajo nuk është pa referenca në historinë e shqiptarëve, siç nuk është e patrasueshme  edhe më tutje, madje edhe më sot. Rezistenca e Adem Jasharit dhe UCK’së është produkt i natyrshëm i po asaj kryengritje dhe luftëtarëve vullnetarë që luftuan për mbrojtjen e trevave shqiptare nën organizimin e Lidhjes së Prizrenit”, tha Kurti.

Kurti tha se Adem Jashari lirinë e tij individuale e përbashkoi me lirinë e popullit të tij.

“E në këtë histori të çlirimit dhe shtetndërtimit, Adem Jashari dhe krejt çka përfaqëson figura e tij ka një hise shumë të madhe që në të vërtetë është hisja më e madhe që mund ta ketë një njeri në historinë e vendit dhe kombit të tij. Ajo është hisja e një njeriu që brenda kohës së tij dhe qenies së tij vepruese, lirinë e tij individuale e përbashkoi me lirinë e popullit të tij gjatë gjithë jetës deri në vdekje, deri në rënien heroike. Liria ishte kushti i jetës e që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit. Andaj nëse historia është përparimi i vetëdijes së popujve për liri atëherë Adem Jashari është emri i përveçëm i njeriut me të cilin ne mund t’i referohemi lirisë sonë”, deklaroi Kurti. /GazetaExpress/ KultPlus.com

Të ngjajshme