Kryeministri Kurti: Pa ushtri cilësore, asnjë projekt nuk është i sigurt

2 Mars, 2022 - 10:30 pm

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se themelimi i Fondit të Sigurisë do të ndikojë për fuqizimin e nivelit të sigurisë së vendit tonë në të ardhmen dhe u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit dhe diasporës që të kontribuojnë në këtë drejtim.

Ai në një postim në rrjetin social Facebook ka thënë se pa ushtri cilësore, asnjë projekt nuk është i sigurt.

“Historia jonë ka qenë gjithnjë artikulim i ndjenjës së lirisë ndër njerëzit tanë. Çdo familje e jona e ka prekur sakrificën. Populli ynë e di më shumë se kushdo tjetër se çdo arritje duhet të sigurohet. Nëse shekulli i shkuar ishte ai rezistencës, shekulli XXI është shekulli i shtetndërtimit. Ai e di se dialektika e historisë sonë ka kaluar nga rezistenca te liria, nga liria te siguria. Sikurse e di edhe se pa ushtri cilësore dhe pa popull aktiv, asnjë projekt nuk është i sigurt”.

Kryeministri më tej ka thënë se investimi në siguri është investimi më i sigurt.

“Fondi i sigurisë synon një nga përbërësit më të fuqishëm të themeleve të së ardhmes. Kontributi dhe sakrifica kryhet në tashmen për të vendosur sigurinë në të ardhmen. Buxheti prej 100 milionë euro që kemi ndarë për Ministrinë tonë të Mbrojtjes është më i madhi ndonjëherë. Por tani si asnjëherë më parë duhet të jetë edhe më i madh, sepse investimi në siguri është investimi më i sigurtë. I ftoj të gjithë qytetarët e Republikës sonë, së bashku me bashkatdhetarët tanë në diasporë, që të ndajnë thirrjen dhe të kontribuojnë në ngritjen e sigurisë shtetërore”,tha tutje Kurti.

Një ditë pas themelimit të Fondit të Sigurisë nga Qeveria e Kosovës, disa qytetarë e ndërmarrje kanë filluar dhurimin e mjeteve që, sipas tyre, do të ndikojë në forcimin e Ushtrisë së Kosovës.

Paratë e mbledhura në këtë fond, sipas Qeverisë së Kosovës, do të shkojnë si buxhet shtesë për Ministrinë e Mbrojtjes. / KultPlus.com

Të ngjajshme