Kryeministri Kurti: Ka filluar puna drejt rritjes së pagës minimale

21 Shkurt, 2022 - 7:23 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do të fillojnë procedurat për rritjen e pagës minimale. Ai ka treguar se si synon të arrijë deri në përmbushjen e këtij zotimi të cilën e ka përmendur me vite të tëra sa ishte në opozitë, por që nuk e përmendi edhe aq shumë në 11 muaj qeverisje.

Kurti ka thënë se puna për rritjen e pagës minimale vetëm sa ka filluar dhe se do të sigurohet pragu i të hyrave për punëtorët që të kenë një pagë të dinjitetshme.

“Filloi puna drejt rritjes së pagës minimale, drejt përmbushjes së një tjetër zotimi. Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale”, shkroi ai në Facebook.

Kryeministri ka thënë se hapi i parë në arritjen e këtij qëllimi është rregullimi i kornizës ligjore dhe tutje ka shtuar se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve vetëm se ka përgatitur projektligjin i cili së shpejti do të dalë në konsultime publike.

“Si hap i parë është rregullimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të evitohen të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese në lidhje me rritjen e pagës minimale. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike. Krahas kësaj, në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale. Propozimi pastaj miratohet në Qeveri dhe kësisoj përmbyllet procesi”, ka shtuar ai. / KultPlus.com

Të ngjajshme