Kryeministri Kurti kujton masakrën në Rogovë të Hasit: Përvjetorët na i përtërijnë plagët e luftës, plagët e krimeve që nuk vjetrohen

29 Janar, 2024 - 12:16 pm

Sot u bënë 25 vjet nga masakra që është kryer nga forcat serbe në fshatin Rogovë të Hasit, ku ranë në pritë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe shumë civilë të fshatit, përcjell KultPlus.

Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në këtë fshat ranë dëshmorë 21 persona.

Këtë ngjarje të rëndë për popullin e Kosovës, sot e ka kujtuar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale është shprehur se përvjetorët na i përtërijnë plagët e luftës. Plagët e krimeve që nuk vjetrohen.

Kryeministri tutje është shprehur se Republika e Kosovës nuk i harron e as nuk i fal krimet e kryera nga Serbia.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit:

Përvjetorët na i përtërijnë plagët e luftës. Plagët e krimeve që nuk vjetrohen.

Republika e Kosovës nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia.

Më 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999, forcat e armatosura serbe i vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës. Në këtë 25 vjetor i përkujtojmë luftëtarët dhe civilët e rënë për liri, që me sakrificën e tyre e shtruan rrugën deri te ҫlirimi i Kosovës nga Serbia okupatore.

Atëbotë ranë duke luftuar 21 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëntë civilë shqiptarë.

Të monumentalizuar në historinë e re të Kosovës, një çerek shekulli më pas i kujtojmë me emrat e tyre të rënët në ato ditë janari: Agim Zeneli, Agron Rama, Agush Gjocaj, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gëzim Ademaj, Gaspër Karaqi, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Prend Lleshi, Sahit Krasniqi, Sejdi Rama, Valon Gashi, Vesel Avdyli, Rrustem Morina, Selman Morina, Muhamet Morina, Nusret Morina, Xhevdet Berisha, Ibrahim Kryeziu, Adem Shala, Zyber Shala dhe Rifat Shala.

Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta! / KultPlus.com

Të ngjajshme