2 Gusht, 2025 - 7:17 pm
Në ambientet e ish-burgut famëkeq të Prishtinës, tashmë i shndërruar në muzeun “Burgu i Idealit”, u rikthyen zërat e kujtesës dhe të rezistencës. Në këtë hapësirë simbolike, ku dikur mbaheshin të izoluar për idealet e tyre, u promovua libri “Përpjekja” i Ramiz Arifit, një rrëfim i jetës, burgut dhe përkushtimit për liri.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili në praninë e ish-të burgosurve politikë dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare, u ndal te pesha historike e vendit ku po mbahej promovimi.
Në krye të fjalës Kurti theksoi se 666 shekuj burg së paku janë mbajtur nga shqiptarët nëpër burgjet e ish Jugosllavisë e njëri prej të cilëve ka qenë edhe ky burgu famëkeq i Prishtinës, njofton Kryeministria.
“Sa herë që rikthehem në këtë ndërtesë, si i vetmi burg ku njerëzit mund të hyjnë e ta vizitojnë lirshëm, më përforcohet përshtypja që nuk ka një vend të dytë në tërë Kosovën që mund të sjellë kaq shumë ndjenja kundërthënëse sa ky burg. Këtu ku dikur njerëzit burgoseshin dhe vuanin për bindjet dhe qëndrimet dhe veprimtarinë e tyre politike, sot ne mblidhemi në kushte lirie për të folur mes kujtimesh pikërisht për ato kohëra. Dikur i njohur si Qendra e Paraburgimit apo edhe si Burgu i Qarkut të Prishtinës, kurse tashmë i emëruar me emrin e tij prej muzeu, si “Burgu i Idealit”, kjo ndërtesë i ka ngujuar dhe i ka fshehur, e paradoksalisht edhe i ka ruajtur, mijëra histori dhe fate njerëzish”, tha ai.
Duke folur për librin që u promovua, kryeministri tha se në 260 faqet e këtij libri, autori, Ramiz Arifi e ka rrëfyer pothuajse gjithë jetën e tij nga fëmijëria deri në ditët e para të çlirimit të Kosovës.
“Por megjithëse ky libër është një rrëfim në veten e parë, ai nuk është thjesht vetëm jeta e një personi apo e një autori, sepse në të, mund të lexohen edhe shumë ngjarje për figura të rëndësishme të historisë politike të Kosovës, ndodhi të autorit bashkë me Metush Krasniqin, me Besnik Krasniqin, Hydajet Hysenin, Hyrije Hanën, Rexhep Malajn, Bajrush Xhemajlin e shumë të tjerë nga organizatat e fshehta politike dhe deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Madje, në këtë libër, Ramizi tregon se si duke qenë pjesë e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në shkurt të vitit 1998, i rastisi t’i takonte edhe Hamëz e Adem Jasharin në odën e tyre në Prekaz”, u shpreh me tej.
Ai shtoi se ish të burgosurit politikë kanë botuar me qindra libra me poezi, letra, kujtime, dëshmi dhe rrëfime nga kohët e kaluara në burg dhe nga aktiviteti nëpër organizata të ndryshme politike, që në thelb kishin për synim çlirimin e Kosovës nga Jugosllavia e dominuar nga Serbia dhe bashkimin e trevave të populluara e të banuara me shqiptarë me Shqipërinë, dhe se këta libra kanë krijuar një kapitull të veçantë në historinë e letërsisë dhe të memoareve shqipe, të njohur tashmë si letërsia e burgut, e që në këtë kapitull do të hyjë edhe libri i Ramiz Arifit “Përpjekja”.
“Mes nderimesh dhe mirënjohjesh për kontributin e të burgosurve politikë dhe të veprimtarëve të të gjitha periudhave të historisë së Kosovës dhe të kombit shqiptar, e duke ju uruar më të mirat mes nesh, secilës e secilit prej juve, ju faleminderit shumë e urime autorit”, u shpreh në fund kryeministri në detyrë.