Kryeministri Kurti: Mbase është koha që të mendojmë për ribotimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dokument historik

7 Shtator, 2022 - 1:52 pm

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, me rastin e 32 vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut tregon se si u mblodhën delegatët e Kuvendit të Kosovës për ta përplotësuar aktin e tyre, Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut, përcjell KultPlus.

KultPlus e sjell të plotë reagimin e kyeministrit Kurti lidhur me këtë datë historike:

Në dukje të përgjithshme ajo ditë ishte e zakonshme: e premte, 7 shtator 1990. Organet e sigurimit të Serbisë që zbatonin politikat shtypëse të Beogradit mbi Kosovë, ishin të përqendruara në Prishtinë, aty ku ishte suprimuar autonomia e Kosovës më 23 mars 1989, ku brenda dy muajsh ishin mbyllur Radio Televizioni i Prishtinës më 5 korrik dhe gazeta “Rilindja” më 5 shtator 1990. Ata nuk e dinin që pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990, një grup juristësh ekspertë të së drejtës kushtetuese, ishin mbledhur për të hartuar një kushtetutë për Kosovën. Mes tyre, ishin Gazmend Zajmi, Ejup Statovci, Kurtesh Saliu, Ismet Salihu, Fatmir Fehmiu, Riza Smaka dhe Halit Muharremi. Deri në fillim të gushtit, në një afat rekord, aq më tepër kur kihet parasysh niveli i tekstit që prodhuan, ata shkruan Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të parës republikë të Kosovës. Gjithçka u bë në fshehtësi dhe konspiracion të plotë, deri më 7 shtator 1990, kur në shtëpinë e kulturës në qytetin e Kaçanikut, duke ndjekur shenja e kode sipas një plani të fshehtë, u mblodhën delegatët e Kuvendit të Kosovës për ta përplotësuar aktin e tyre të para dy muajve, Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut.

Në rend të ditës, ata kishin 10 pika:

1. Shqyrtimi i Propozimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për miratim;

2. Shpallja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

3. Shqyrtimi i Propozimit të Ligjit Kushtetues për zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për miratim;

4. Shpallja e Ligjit Kushtetues për zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

5. Marrja e Vendimit mbi vazhdimin e punës së Kuvendit të Kosovës, Këshillit Ekzekutiv dhe organeve të tanishme të administratës, deri në zgjedhjen dhe konstituimin e Kuvendit të ri të Republikës së Kosovës;

6. Shqyrtimi i propozimit të Ligjit mbi bashkimin e qytetarëve në parti politike, shoqata dhe forma të tjera të bashkimit, për ta miratuar;

7. Shqyrtimi i Propozimit të Ligjit mbi zgjedhjet, për miratim;

8. Dhënia e pëlqimit për amendamentet kushtetuese për Kushtetutën e RSFJ-së, në bazë të propozimit të KEF-it;

9. Shpallja e zgjedhjeve, dhe

10. Aprovimi i Rezolutës për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Duke miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës që ishte propozuar në atë mbledhje, delegatët legjitimë të Kuvendit të Kosovës, shpallën Republikën e Kosovës. Megjithëse kjo republikë u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë, ajo do të bëhej një themel i fortë i një tradite demokratike dhe shtetërore përmes së cilës, gjatë viteve ’90-të, shqiptarët e Kosovës manifestuan vullnetin e tyre politik në kuadër të Jugosllavisë që i shtypi dhe i diskriminoi, deri te lufta çlirimtare e vitit 1999. Republika e parë e Kosovës, qe një republikë për mbijetesë të subjektivitetit politik të Kosovës, deri në shpalljen e të dytës Republikë të Kosovës më 17 shkurt 2008, që sot e gëzojmë dhe për forcimin e përparimin e së cilës punojmë vazhdimisht.

Sot bëhen 32 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në Kaçanik, e cila sa herë që i rikthehemi si tekst, shohim që përveçse si një dokument me vlera historike, mund të na shërbejë edhe për përmbajtjen e saj aq profesionale, politikisht vizionare dhe historikisht të drejtë. Atë kohë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës që u shpall në Kaçanik u shtyp në rreth 500 kopje, disa prej të cilave, sikur kjo kopje këtu, fatmirësisht kanë mbijetuar deri sot, për t’u arkivuar dhe dëshmuar nga historia. Mbase është koha që të nisim e të mendojmë për ribotimin e saj si dokument historik, në edicione shkencore të shoqëruara me studime përkatëse. / KultPlus.com

Të ngjajshme