27 Maj, 2025 - 2:08 pm
Në përvjetorin e vetësakrificës së saj, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar me nderim Nënën Pashke, një prej figurave më të njohura të dhimbjes dhe qëndresës së nënave që humbën më të dashurit gjatë luftës në Kosovë.
Në mesazhin e tij, Kurti theksoi se plagët e luftës nuk mund të shërohen pa zbardhjen e së vërtetës dhe pa drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre. Ai rikujtoi se shumë nëna ende presin me ankth për të marrë lajme për fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.
“Kujtimi për Nënën Pashke dhe për të gjitha nënat që vuajnë në heshtje për të dashurit e tyre të zhdukur, na obligon që të mos harrojmë kurrë krimet e kryera në Kosovë,” tha Kurti. Ai shtoi se krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi i kryer nga Serbia nuk mund të harrohen dhe nuk duhet të mbesin të pandëshkuara.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për Nënën Pashke,” përfundoi ai./KultPlus.com