Kryeministri Kurti: Vit i artit dhe promovimit ndërkombëtar të shtetit tonë

21 Prill, 2022 - 3:19 pm

Në prag të hapjes së Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka bërë një postim në rrjetet sociale dedikuar artit në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Këtë vit, Kurti e ka quajtur vit i artit dhe prodhimit ndërkombëtar të shtetit tonë. Sipas tij, Arti është ura jonë lidhëse me botën.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit:

Sot hapet pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut, një nga ngjarjet më prestigjioze të artit në botë. Republikën tonë do ta përfaqësojë artisti bashkëkohor Jakup Ferri me veprën “The Monumentality of the Everyday”, që për kuratore ka gjermanen Inke Arns dhe komisionere Alisa Gojani-Berishën.

Sivjet Prishtina do të jetë nikoqire e Bienales Nomade Evropiane, Manifesta (edicioni 14), e cila në edicionin e kaluar u mbajt në Marsej (Francë), ndërsa pas Prishtinës shkon në Barcelonë (Spanjë). Afër 100 artistë nga 32 shtete të botës, gjysma e tyre nga Kosova, nga 22 korriku për 100 ditë rresht do ta shndërrojnë Prishtinën në hapësirë të artit dhe transformimit të hapësirave publike.

Para tri javësh u mbyll Expo Dubai, ndërsa Kosova u paraqit me artistët e saj të dalluar dhe me eksponate muzeale e vepra të artit, si dëshmi e vlerave dhe potencialit të jashtëzakonshëm kulturor e identitar.

Festivalet ndërkombëtare të Kosovës edhe sivjet do të sjellin emra të njohur të artit nga e gjithë bota, nga filmi te muzika, nga arti pamor te romani grafik. Artistë të shumtë nga e gjithë bota zbarkojnë në shtetin tonë gjatë gjithë vitit përmes festivaleve tona që kanë krijuar identitet të fuqishëm ndërkombëtar.

Viti 2022 shënon edhe nisjen e programit tre vjeçar për blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë. Përveç kësaj, do të ndahen 20 bursa për studim në arte dhe trashëgimi kulturore në universitete botërore. Kurse gjatë pjesës së dytë të vitit do të vendosen themelet e institucionit më të ri shtetëror të artit, Muzeut të Artit Bashkëkohor, një mundësi shtesë për integrim dhe forcim të pozicionit të Kosovës në skenën botërore të artit pamor.

Këtë vit do të nënshkruajmë marrëveshje të bashkëprodhimit filmik me Francën në festivalin e Kanës, dhe me Izraelin më vonë gjatë vitit. Filmat tanë të suksesshëm edhe sivjet vazhdojnë të udhëtojnë nëpër festivale prestigjioze dhe të shfaqen në kinematë anekënd botës.

Në thirrjen publike për mbështetje të skenës së pavarur kulturore kemi krijuar skemën e veçantë të mobilitetit për prezantimin e produktit tonë artistik në botë. Organizatat kulturore dhe artistët e pavarur do të gëzojnë mbështetje të rritur për paraqitje ndërkombëtare.

Arti është ura jonë lidhëse me botën. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme