Kryeministri Kurti viziton ekspozitën e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës

30 Prill, 2022 - 10:00 pm

Lodra, libra, këpucë, fanella e pantallona fëmijësh janë ekspozuar në dollapë prej xhami, në Muzeun e Fëmijërisë së Luftës në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Aty dëgjohen e lexohen rrëfimet e kohës së luftës të fëmijëve nga Bosnja e Hercegovina, Kosova, Kroacia, Serbia, Siria, Afganistani, Palestina, e së fundmi edhe nga Ukraina. Të njëjta janë përvojat, të ngjashme janë ngjarjet, kurse e përbashkëta e tyre është lufta e dhimbshme e shkatërruese.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Saranda Bogujevci, e cila i mbijetoi masakrës së forcave paramilitare serbe kundër familjes së saj në vitin 1999, e vizituan ekspozitën.

Një muze shumë i rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përkujtim e mospërseritje, tha kryeministri Kurti teksa rikujtoi që 1133 fëmijë u vranë e u masakruan gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Është detyrë e secilit prej nesh, shtoi ai, që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi, e që e vërteta të dalë në pah për të gjitha këto jetë të humbura të fëmijëve.

Muzeu i Fëmijërisë së Luftës, ka selinë kryesore në Sarajevë, por ka dy javë që është hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku është plotësuar edhe me rroba e gjësende nga fëmijëria e  luftës e fëmijëve kosovarë.

Ekspozita është hapur me bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galerisë Kombëtare të Kosovës, ForumitZFD dhe Zyres së BE-së në Kosovë./21Media/ KultPlus.com

Të ngjajshme