Kryetari Ilir Ferati promovon turizmin në Istog: “Ky vend i bekuar me pasuri natyrore është thesar për zhvillim të qëndrueshëm”

5 Gusht, 2025 - 8:20 pm

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka prezantuar bukuritë natyrore dhe potencialin turistik të qytetit të tij përmes një videoje promovuese, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe ruajtjes së natyrës.

Në fokus të videos janë malet e Moknës, Lugu i Butë, burimet e freskëta, shtigjet alpine dhe mikpritja tradicionale që ofron ky rajon. Ferati përshkruan Istogun si një vend ku jetesa e shëndetshme nuk është luks, por përditshmëri, përcjellë KultPlus.

“Ky vend i bekuar me pasuri natyrore e kulturore ka potencial të jashtëzakonshëm për investime dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Me politika të mençura, me vizion afatgjatë dhe me dashurinë për tokën tonë, Istogu mund të bëhet shembull se si zhvillimi ekonomik shkon dorë për dore me ruajtjen e natyrës”, tha Ferati.

Përmes kësaj nisme, Komuna e Istogut synon të promovojë vlerat e saj natyrore, si dhe të tërheqë vizitorë dhe investitorë që ndajnë të njëjtin vizion për një zhvillim të balancuar dhe të përgjegjshëm.

Ferati fton të gjithë qytetarët dhe turistët që të vizitojnë Istogun dhe të përjetojnë nga afër paqen, aventurën dhe mikpritjen që ofron ky qytet në zemër të Rrafshit të Dukagjinit./KultPlus.com

Të ngjajshme