“Ku janë sot pasanikët e Shqipërisë”

27 Nëntor, 2019 - 3:51 pm

Mbi 1000 banesa të dëmtuara, 29 viktima dhe 600 të plagosur është bilanci i tmerrshëm i një tërmeti që shkundi Shqipërinë. Të gjithë u sensibilizuan, ofruan ndihma, para, shërbime dhe çdo gjë që kishin nevojë të dëmtuarit nga kjo fatkeqësi.

Nga Kosova mbërritën biznesmenë të ndryshëm, panë situatën nga afër dhe u sensibilizuan duke derdhur në llogaritë e ndihmës, disa qindra mijëra euro.

Po të pasurit e Shqipërisë ku po fshihen?!

Në këto 6 vitet e fundit, janë dhënë mbi 1 miliard euro koncesione, ku pjesën më të madhe e kanë marrë një grup biznesmenësh të pasur. Gjithashtu me dhjetëra kompani përfitojnë fonde publike çdo vit, nëpërmjet tenderave të ndryshëm. Të gjithë këta janë fshehur, kanë braktisur Shqipërinë dhe po sigurojnë pasurinë e tyre.

Këta të pasur nuk janë sot pranë shqiptarëve, pranë njerëzve që kanë nevojë. Për ta, ky tërmet është një ngjarje e zakonshme, përsa kohë ata nuk janë prekur. Shumica prej tyre kanë braktisur vendin me familjet e tyre, dhe tërmetin po e shikojnë nga televizori.

Koncesionet, rrugët dhe tenderat, këta biznesmenë i fitojnë nga pasuritë e qytetarëve. Janë taksat tona, dhe të atyre viktimave të tërmetit, që mbajnë në këmbë ekonominë e vendit, dhe pasurinë e tyre. Dhe këta të fundit nuk japin asnjë qindarkë nga pasuria e tyre.

Sot këta të pasur, zotërojnë apartamente që mund t’i vendosin në dispizicion, kanë para, kanë supermarkete për ndihma ushqimore, dyqane me elektroshtëpiake, kanë hotele për t’i strehuar të dëmtuarit e tërmetit. Por asgjë deri tani! Në media janë parë vetëm akte bamirësie me shuma modeste, në raport me pasurinë që kanë.

Po tërmeti natyrisht ka pasoja edhe mbi të pasurit! Në një situatë të tillë katastrofe, bie konsumi dhe shpenzimet, bie xhiroja, dhe natyrisht bien të ardhurat për ta. Prandaj, ata që sot fshihen, nëse nuk japin kontribut për të dalë nga kjo krizë, restoja ndaj tyre do të jetë tepër e shpejtë./ Shqip / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme