Kujtesa e palëkundur bashkë me tavolinën, Ferdonija si simbol i dhimbjes, guximit dhe këmbënguljes

11 Mars, 2023 - 9:00 pm

Flonja Haxhaj

Tavolina e nënës Ferdonije Qerkezi, me gjashtë pjatat e saj me gjellë, pesë prej tyre të paprekura, u zhvendosën për disa ditë në Prishtinë, për të përcjellë një dhimbje të madhe që ajo përjeton tash e 24 vite, që kur forcat serbe ia morën me forcë bashkëshortin dhe katër djemtë, e që atëherë s’i pa më, shkruan KultPlus.

Rutina e saj e përditshme, nuk dalloi për këto mbi dy dekada. Ajo ballafaqohet e vetme çdo ditë me të njëjtën dhimbje. Me sy kah dera ajo pret me shpresë për më të dashurit, ndonëse për dy djemtë e saj ajo të paktën gjeti qetësi dhe ka dy varre ku t’i vajtojë pasi në vitin 2005 u gjetën eshtrat e tyre.

E për të përcjellë këtë dhimbje të përditshme të Qerkezit dhe të shumë familjeve të tjera që presin akoma me shpresë për familjarët e tyre, më 8 mars, në Muzeun Etnologjik në Prishtinë, Artan Korenica hapi ekspozitën ku u dha edhe premiera e filmit ‘Tavolina’.

Filmi 12-minutësh ‘Tavolina’, paraqet një ditë të Ferdonije Qerkezit.

Aktorja Arta Muçaj e cila është përzgjedhur nga Artan Korenica për të portretizuar figurën e Ferdonije Qerkezit dhe një ditë të saj rutinë, thotë për KultPlus se përveç si sfidë në vetë ajo shprehet e privilegjuar që është përzgjedhur ta luajë këtë rol.

“Jam e privilegjuar që kam qenë pjesë  e filmit ‘Tavolina’, sepse të luash një personazh që është real është shumë më e vështirë se sa të bësh një rol fiktiv. Po flasim për një grua, një nënë që për dy dekada  e më shumë kalon nëpër një dhimbje të madhe duke pritur çdo ditë se mos ndoshta do gjenden më të dashurit e saj, burri me katër djemtë, te cilët armiku ia mori  gjatë luftës me dhune nga shtëpia”, u shpreh Muçaj, e cila më tutje thotë se shpreson të ketë arritur ta përcjelllë sa do pak nga ajo dhimbje që Ferdonije Qerkezi ka në shpirt.

“Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë që nga momenti kur kam hyrë në shtëpinë e saj ku mban gjithë gjërat e familjareve dhe ku shtëpia është muze. Më është dashur ti prek që nga këpucet e tyre, rrobat, shtratin, që nuk mund ta shpjegoj çfare energjie kam ndjerë, më dridhej i gjithë trupi”, rrëfen Muçaj emocionet e para të ballafaqimit me jëtën e Ferdonije Qerkezit.

Ndërkaq, përveç filmit, në dhomën kryesore të Muzeut, janë të paraqitura fotografi të shumë njerëzve që kanë humbur familjarët në Luftën e Fundit në Kosovë. Fotografitë që flasin vetë, i përshkruan me një fjalë një detaj, pritja.

Dikush babanë, dikush bashkëshortin, djemtë e shokët, brënga për më të dashurit e tyre i mundon tash e 24 vite.

Ju kujtojmë që ekspozita do të jetë e hapur deri më 22 mars, ku të gjithë të interesuarit mund t’i shohin fotografitë dhe filmin ‘Tavolina’./ KultPlus.com

Të ngjajshme