“Kujtimet e Stambollit” dhe shqiptarët e Beshiktashit

11 Prill, 2020 - 1:30 pm

Armudan i Vogël, sot Küçük Armutlu – ishte fshati që dikur banohej me armenë, në provincën e sotme të Erzincanit, në Anadollin Lindor të Turqisë.

Ndoshta ky fshat nuk do të bëhej i famshëm po mos të lindte aty Hagop Mintzuri, një armen i shkolluar dhe një stambollas i mëvonshëm. Mintzuri do të lindte më 1886, në këtë fshat piktoresk, por që në moshën 11 vjeçe do të mësynte Stambollin.

Stambolli ishte qyteti që ai do të kalonte pjesën e tij më të madhe, e këtu ai do ta bënte të famshme vendlindjen e tij. Fillimisht do të punonte si çirak në furrat e bukëve nëpër Stamboll, e në të njëjtën kohë do të ndiqte shkollimin në shkollën private franceze të Ortakoyit, pastaj në Shkollën Armene të Getronaganit te Gallata dhe deri tek i famshmi Kolegji Robert. Të gjithë jetën e tij në Stamboll do ta përmblidhte në një libër kujtimesh, për të lënë kështu një pasqyrë mikrohistorie të jetës së përditshme në Stambollin shumëngjyrësh të armenëve, turqve, shqiptarëve, grekëve e të shumë etnive e kulturave të ndryshme, shkruan KOHA.

Image

Grup vullnetaresh shqiptarë. Foto nga Ataturk Kitaplığı (Biblioteka e Ataturkut)

“Kujtimet e Stambollit” është një nga veprat që përfshijnë periudhën mes viteve 1897-1940, kapërcyellin e shekujve XIX-XX dhe imazhi më i mirë i ndryshimit socio-kulturor nga një perandori që po vdiste te një republikë që po lindte. Nga një punë e thjeshtë që bënte si shpërndarës bukësh ai do të kishte kontakte të shumta gjatë ditës me njerëz nga të gjitha shtresat që jetonin në Stamboll, që nga lypsarët e deri te pashallarët me vila të famshme. Për kohën sa ishte i ri dhe punonte në furrë, vend të veçantë do të zinte Beshiktashi. E aty, kontaktin më të madh do ta kishte me shqiptarët, duke filluar që nga furrtarët e deri te mareshalët e njohur të sulltanit në sarajet e Jëlldëzit.

“Djepi i gurit” të Jezu Krishtit

Sipas një interpretimi për prejardhjen e emrit Beshiktash, mendohet që gjatë periudhës bizantine, një prift ortodoks, duke bartur një gur nga vendet e shenjta të Jerusalemit, e kishte sjellë në këtë pjesë të Konstandinopojës dhe kishte ndërtuar një kishë që në greqishte do të quhej Kounopetra – Djep i Gurit. Por, një rrëfenjë osmane e lidh atë me kapitenin e famshëm të flotës osmane, Hajredin Pashë Barbarosën, që kishte lidhur anijet e tij në pesë gurë (beş taş) dhe nga kjo kishte derivuar emri i sotëm.

Image

Mareshal Tahir Pasha në gazetën zyrtare “Serveti Fünun” (Revista “Serveti Fünun” nr. 483)

E pikërisht në këtë pjesë të bukur buzë Bosforit dhe karshi Azisë, armeni nga Armudani i largët nis rrëfenjën e tij për Stambollin. Bashiktashi i rinisë së tij ishte shumë më ndryshe se ai i pleqërisë, pra Beshiktashi otoman dallonte nga ai i kohës së republikës. Ky otoman kishte karakteristika tipike të një çarshie osmane, me xhamitë, kafenetë, pazaret dhe atë gjallërinë orientale.

Aty rrotull xhamisë së Sinan Pashës, ku tashmë shtrihet mejdani i Barbarosës, afër skelës së anijeve, kishte punuar Hagop Mintzuri. Në furrën e bukëve, i rrethuar nga shqiptarët e “Arnavut Ciğerit”, mercenarët e sulltanit, kasapët e mishit e pashallarët me nam. Me plisa të bardhë e veshje tradicionale shqiptare, jetonin e punonin së bashku shqiptarët myslimanë, ortodoksë e katolikë.

Image

Hyrja për tek pallati Jëlldëz (Foto nga Ataturk Kitaplığı)

Festa e Bajramit në Beshiktash

Qendra e sotme e Beshiktashit është kryqëzim rrugësh për te tre sarajet e mëdha të dinastisë osmane: Saraji i Dollmabahçesë, Jëlldëzit dhe Çëraanit. E kur Mintzuri kishte ardhur në Stamboll, sulltani i kohës, Abdylhamiti II, kishte zhvendosur administratën e tij nga Dollmabahçeja për në kodrën e Beshiktashit – në sarajin e Jëlldëzit.

Rrëfenja për Beshiktashin do të niste pikërisht në ditën e Bajramit, kur edhe padishahu, për shkak të vlerës historike dhe sigurisë, preferonte që namazet e bajramit t’i falte te xhamia afër e Sinan Pashës, duke e kthyer kështu Beshiktashin në një epiqendër të kësaj feste.

Image

Batalioni shqiptar përbrenda pallatit Jëlldëz (Foto nga Ataturk Kitaplığı) /Koha.net /KultPlus.com

Të ngjajshme