Kujtohen viktimat e Stuhisë, ju bëhet thirrje institucioneve të marrin përgjegjësi dhe të bashkëpunojnë

4 Gusht, 2022 - 12:59 pm

Me rastin e njëzet e shtatë vjetorit të OUP (Operacioni Ushtarako-Policor) Stuhia (VRO Oluja), Rrjeti Rajonal i Nismës të Rinjve për të Drejtat e Njeriut u bën thirrje institucioneve në Kroaci dhe Serbi që të bashkëpunojnë më shumë në çështjen e të drejtave dhe drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës dhe që Zyrtarët qeveritarë të vendeve të prekura nga luftërat e viteve 1990 të kontribuojnë më seriozisht, me përgjegjësi dhe kurajo në ndërtimin e paqes dhe përballjen e përgjegjshme me të kaluarën e kohës së luftës.

Sipas raportit të Komitetit Kroat të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut nga viti 2001, më shumë se 600 civilë u vranë dhe më shumë se 22,000 shtëpi u dogjën gjatë dhe pas OUP Stuhia. Më shumë se 150,000 ish banorë të saj, kryesisht serbë, u larguan nga Kroacia në atë kohë nga frika për sigurinë e tyre personale, si dhe pasi u bindën nga autoritetet e Krajinës. Pasuria e tyre ishte shkatërruar ose vjedhur dhe kthimi i tyre ishte de fakto i pamundur. 

Sipas të dhënave të FDH-së, gjatë verës së vitit 1995, rreth 10.000 refugjatë civilë të ikur nga Kroacia dhe BeH u arrestuan nga anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe më pas iu dorëzuan autoriteteve ushtarake të atëhershme të Republikës Srpska Krajina (RSK) dhe Republika Srpska. (RS). Mobilizimet e tilla të detyruara, të cilat paraqisnin shkeljen më të rëndë të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Statusin e Refugjatëve si dhe Ligjit për Refugjatët në Serbi, rezultuan në humbjen e të paktën 54 jetëve si dhe me lëndime të rënda fizike dhe pasoja psikologjike për një pjesë të madhe ndaj një numri të madh të burrave të mobilizuar. Në periudhën nga gushti deri në fund të shtatorit 1995, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dorëzoi rreth 5.000 refugjatë në kampin e trajnimit të Gardës Vullnetare Serbe të Zhelko Razhnatoviq – Arkan (Željko Ražnatović Arkan), ku refugjatët kaluan nëpër tortura psikologjike dhe fizike.

Asnjë viktimë e “Stuhisë” në Serbi nuk e ka statusin e viktimës civile të luftës, edhe pse liderët e Serbisë viteve të fundit në përkujtimet zyrtare flasin për domosdoshmërinë e përkujtimit të viktimave të Stuhisë. Viktimat e nacionalitetit serb janë, për fat të keq, ende pengje të çdo qeverie në Serbi, e historitë, fatet dhe pozitat e tyre manipulohen për përfitime politike përmes mediave, artit dhe paraqitjeve të zyrtarëve më të lartë.

Para gjykatave në Republikën e Kroacisë, në lidhje me krimet gjatë dhe pas OUP Stuhia, u shqiptuan vetëm dy Aktgjykime dënuese të formës së prerë për Krime lufte kundër popullatës civile dhe Krime lufte kundër të burgosurve të luftës në Prokljan dhe Mandiqi, dhe për Krime lufte kundër popullatës civile në Kijani afër Graçacit, sipas të dhënave të Documenta – Qendra për ballafaqim me të kaluarën nga viti 2021.

Mungesa e veprimit në kohë nga ana e gjyqësorit të Republikës së Kroacisë u bë veçanërisht e dukshme për publikun e gjerë në maj të vitit 2022, kur Prokuroria e Republikës së Serbisë ngriti një Aktakuzë kundër një piloti të ushtrisë kroate për bombardimin e civilëve në rrugën e Petrovacit afër vendit të quajtur Kapljuh, në fshatin Bravsko dhe në vendin e quajtur Svodna në Bosnje dhe Hercegovinë, në gusht të vitit 1995. Nga zyrtarët më të lartë shtetërorë në Kroaci mungonin ngushëllimet për viktimat.

Në një deklaratë të lëshuar për media, Rrjeti Rajonal i Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut janë shprehur: Ne e dimë se një shoqëri e bazuar në mospranimin e gabimeve të saj nga e kaluara nuk ka perspektivë për një të ardhme paqësore dhe ne e përmbushim me vendosmëri përgjegjësinë tonë kolektive për t’u bërë thirrje publikisht institucioneve kompetente që të kontribuojnë në njohjen e së vërtetës dhe të sjellin drejtësi për viktimat.

Për këtë arsye, kërkojmë:

●       Nga prokuroritë në Kroaci, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë të bashkëpunojnë më mirë dhe më thellësisht në ndjekjen penale të autorëve të krimeve gjatë dhe pas OUP Stuhia;

●       Nga Ministria e Veteranëve Kroatë të Republikës së Kroacisë, që Ligji për viktimat civile të Luftës Atdhetare, i miratuar vitin e kaluar me Rregulloren përcjellëse të zbatohet në frymën e Kushtetutës, duke mos diskriminuar asnjë viktimë në bazë të identitetit të tyre kombëtar, etnik ose ndonjë tjetër, dhe nga Kuvendi Kombëtar i Republikës së Serbisë të miratojë një Ligj për viktimat civile të luftës që do të mundësonte dhe lehtësonte realizimin e të drejtave dhe statusit të tyre, të garantuara me Kushtetutë dhe aktet ndërkombëtare të vlefshme në Serbi;

●       Nga Kryeministri dhe Presidenti i Republikës së Kroacisë për të kërkuar falje të sinqertë dhe publike për viktimat e krimeve të luftës, të kryera nga forcat e Republikës së Kroacisë gjatë dhe pas OUP Stuhia, dhe nga Presidenti i Republikës së Serbisë tu kërkojë falje qytetarëve që u larguan nga Kroacia në vitin 1995 dhe që u mobilizuan me forcë nga policia dhe formacionet paraushtarake. Në këtë mund t’u ndihmojë Doracaku për Politikanët “Si të kërkojmë falje për krimet” i përgatitur nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut;

●       Nga përfaqësuesit më të lartë politikë, të përmbahen nga zvogëlimi dhe relativizimi i fakteve që kanë të bëjnë me autorët dhe viktimat e krimeve të luftës dhe që vëmendjen dhe hapësirën publike ta përdorin për të shprehur ngushëllime për të gjitha viktimat;

●       Që gjatë shënimit të operacioneve ushtarake, zyrtarët shtetërorë të mos i shmangen nxjerrjes publike të emrave te të gjithë civilëve të rënë, bashkëqytetarëve tanë, pavarësisht nga kombësia dhe/ose përkatësia etnike, e që gjatë operacioneve ushtarake janë vrarë;

●       Që të pandehurit dhe të dënuarit për krime lufte para gjykatave vendore dhe gjykatave të tjera të mos dekorohen me dekorata shtetërore, duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme ndaj viktimave të krimeve dhe veteranëve të luftës që kanë luftuar në përputhje me dispozitat dhe standardet e së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare;

●       Të përfshihen në programet shkollore, veçanërisht ato të historisë, faktet nga e kaluara e luftës që nuk shërbejnë si burim krenarie, por përkundrazi, përfaqësojnë një turp kombëtar për të cilin të rinjtë duhet të dinë për ta kuptuar se cila është e vërteta dhe për të ndikuar që të mos përsëritën më.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Kroaci, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë ju porosit qartë – mos na lini një shoqëri të ngarkuar nga e kaluara dhe përçarjet, urrejtja dhe nacionalizmi! Bazuar në mësimet e së kaluarës, me përgjegjësi, vendosmëri dhe guxim krijoni një të tashme dhe të ardhme më të mirë, të bazuar në bashkëpunim dhe respektim të ndërsjellë.

Të rinj me kujtu, t’përkushtum mos me harru. / KultPlus.com

Të ngjajshme