Kullat në Prekaz janë në rrezik, kërkohet intervenim i shpejt

23 Korrik, 2020 - 5:30 pm

Komitetit për përzgjedhjen e projektit për kompleksin “Adem Jashari”, në Prekaz, i cili është themeluar dje nga qeveria e Kosovës, sot ka mbajtur takimin e parë ku u tha se do të veprojnë shpejt, pasi ky kompleks është në rrezik dhe kërkohet me urgjencë të ndodhë një konservim.

Pas takimit të këtij komiteti, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri tha se ndodhi mbledhja konstituive, ku rishikuan dinamikat që kanë ndodhur.

“Vendosëm që deri të hënën pasdite të na jepet një opinion ligjor për ecjen tutje në veçanti duke e ditur se sa në rrezik është kompleksi, pasi që kërkon me urgjencë të ndodhë një konservim. Të martën do të mbahet mbledhja e dytë e këtij komiteti që në bazë të rekomandimit të marrë vendim dhe të rekomandojë të qeveria për procedurën shtesë të punës që lidhet me veprimin dhe buxhetimin, pastaj të mërkurën kur mbahet mbledhja e qeverisë, qeveria të vendos për këtë projekt me prioritet”.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari tha se janë dakorduar të vazhdojnë pasi të marrin një opinion ligjor.

“Po shpresoj që idetë apo vendimet që dalin nga ky komitet ministror të gjejnë përkrahjen në qeveri që me një fjalë të realizohen edhe në praktikë siç kanë qenë në teori, gjithmonë kanë qenë, asnjë herë asnjë lider, asnjë qeveri që nga paslufta nuk ka thënë që nuk ka para për kompleksin memorial Adem Jashari, por që realisht praktika tash veç po fillon për projektin dhe procedurat për konservimin e kullave”.

Tahiri tha se në qeverinë Haradinaj, kryetar i komitetit ka qenë Limaj ku kanë ndodhur disa vendime.

Kurse, në momentin kur është dashur të ecin tutje, Haradinaj ka dhënë dorëheqje.

Ndërsa, në Qeverinë Kurti nuk është themeluar ky komitet. Klan Kosova / KultPlus.com

Të ngjajshme