Kumbaro: Flamingot në Karavasta, spektakël për vizitorët

9 Shkurt, 2023 - 10:28 am

Flamingot, zogjtë me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme vijojnë të jenë të pranishme prej 13 vitesh në lagunën e parkut Divjakë-Karavasta.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje të flamingove, që tërheqin vizitorë të shumtë në vëzhgimin e piruetave të tyre.

Kumbaro tha se, “flamingot lozonjare dinë të dhurojnë gjithmonë spektakël për vizitorët në Karavasta, ku vëzhgimi i shpendëve është kthyer në një prej aktiviteteve të parapëlqyera të miqve të parkut”.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla, deri në qindra mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Zakonisht qindra flamingo mblidhen së bashku si një grup baleti uji. Të gjithë pastrojnë puplat e tyre rozë duke qëndruar me një këmbë në diell për orë të tëra. Madje me një këmbë ata edhe flenë.

Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri në 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2 – 3,6 kg. Duke kombinuar peshën dhe ngjyrën, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme