30 Korrik, 2025 - 11:56 am
Një pjesë e kostumografisë shqiptare është dokumentuar në fondin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit përmes konkursit “Wanderlust in Albania 2”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot disa foto nga një pjesë e kostumografisë shqiptare, ndërsa e cilësoi këtë si një ndër pasuritë e çmuara të etnografisë dhe shpirtit të krahinave shqiptare.
Kumbaro tha se ato “janë të skalitura përjetësisht në kostumografinë tonë madhështore, disa prej të cilave dokumentuar në fondin e Agjencia Kombëtare e Turizmit përmes konkursit “Wanderlust in Albania 2″”.
Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” u rikthye për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë, duke zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri.
Fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën edhe këtë edicion, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike.
Një pjesë e kostumografisë shqiptare e dokumentuar në fondin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit./atsh/KultPlus.com