Kumbaro: Mbi 1,6 milionë turistë të huaj e vizituan Shqipërinë në maj

28 Qershor, 2022 - 12:50 pm

Shqipëria me bukuritë e saj natyrore, historike dhe kulturore është kthyer vitet e fundit në një nga atraksionet më të preferuara të turistëve të huaj.

Si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria gjithnjë e më shumë po tërheq turistë dhe vizitorë të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bën të ditur se në stinën e dimrit dhe pranverës të këtij viti numri i turistëve ka qenë mbresëlënës.

“Kur pritshmëritë përputhen me shifrat sepse vetëm në stinën e dimrit e të pranverës rritja e numrit të turistëve ka qenë mbresëlënëse. Në maj, numri i vizitorëve të huaj është 604 430 dhe krahasuar me muajin maj të një viti më parë, ky numër është rritur me 83,9 %”, theksoi Kumbaro në rrjetet sociale ku ka publikuar edhe një tabelë me statistika.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “për 5 muajt e parë të këtij viti kemi +594 mijë turistë më shumë se viti 2021, teksa tani vazhdon stina më e nxehtë e sezonit turistik”.

Kumbaro thekson se “i kemi marrë masat që territori i vendit të jetë i pastër e i qetë dhe çdo ditë jemi në terren për ta garantuar këtë”.

Konkretisht në maj të 2022 Shqipëria është vizituar 1 667 691 turistë të huaj, ndërsa në maj 2021 1 083 601 turistë të huaj.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor. Një tjetër atraksion për turistët e huaj janë edhe Alpet shqiptare, ku mahniten me bukuritë që ato ofrojnë. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme