Kumnova mes lotësh: Mbi dy dekada jetojmë në ankth, Driton Selmanaj e injoroi temën e të pagjeturve

9 Dhjetor, 2020 - 12:30 pm

Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, ka marrë fjalën në seancën e Kuvendit, e cila po mbahet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit.

Nysrete Kumnova ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të votohet Ligji për të Pagjeturit, në mënyrë që ta ndiejnë dorën e shtetit të pavarur.

Në fjalën e saj drejtuar deputetëve, Kumnova tha se familjet e të pagjeturve jetojnë që dy dekada në ankth, pritje, ethe, pikëllim e shpresë.

“U bënë 21 vjet duke kërkuar drejtësi dhe më në fund arrita të dal para jush që të ju bëj thirrje të veproni sa më parë… Ndaloni turrin e Serbisë që të mos ndihet e fituar me historinë e saj vrastare, ndër shekuj, e në luftën e vitit 1999, me mbi 13 mijë viktima”, tha Kumnova para deputetëve, transmeton Gazeta Express.

Tutje ajo tha se familjet e të pagjeturve nuk patën përkrahje nga institucionet vendore e ndërkombëtare.

Mes lotësh, ajo iu drejtua deputetëve që po presin fjalët dhe veprat e tyre për të denoncuar krimet serbe.

“Posti i deputetit është detyrë fisnike e jo profitabile”, tha ajo.

“A e dini sa prindër të pikëlluar kanë vdekur në pritje për një lajm për më të dashurit të tyre, sa nëna i kanë rritur fëmijët në varfëri”, vijon fjalimi i Kumnovës.

“Arban Abrashi na ka vënë në pozitë të vështirë, duke na lënë të zgjedhim mes pensionit të pleqërisë dhe ndihmës së shtetit”, shtoi ajo, teksa përmendi me emra edhe politikanët e tjerë të cilët nuk kanë bërë mjaftueshëm për familjet e personave të pagjetur.

Ajo e përmendi edhe zv.kryeministrin Driton Selmanaj, shkarkimin e të cilit e ka kërkuar pothuajse çdo ditë para Kuvendit, pas deklaratës së tij për të pagjeturit.

“Driton Selmanaj kohë më parë e injoroi temën e të pagjeturve, duke e cilësuar si të konsumuar”, tha ajo ndër të tjera. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme