Kur do të ketë premierë evropiane të filmit ‘Zgjoi’

7 Shkurt, 2021 - 3:28 pm

Aktorja kryesore e filmit kosovar “Zgjoi”, Yllka Gashi, ka sqaruar për gjithë të interesuarit se kur mund ta shohin filmin në platformat dixhitale.

Gashi përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se filmi “Hive-Zgjoi”, momentalisht nuk do të shfaqet në asnjë platformë online.

Ajo ka thënë se do të ketë premierë evropiane dhe rajonale, porse, data e saktë ende nuk është vendosur.

“Për të gjithë ju që po shfaqni interesim dhe po pyesni ku e kur mund ta shohim filmin “Hive-Zgjoi” një sqarim i vogël: Filmin NUK mund ta shihni online momentalisht në asnjë platformë. Filmi “Hive-Zgjoi” sapo ka filluar jetën e tij me premierën dhe sukseset që pasuan në Sundance Film Festival. Sigurisht që do të ketë edhe premierë Evropiane dhe rajonale. Për datë të sigurtë ende nuk është vendosur për shkak të situatës me pandemi.  Për informata të tjera mund ta vizitoni faqen e produksionit www.ikone-studio.tv Deri atëherë falemnderit për mirëkuptim e për përkrahjen e dashamirësinë!”, ka shkruar Gashi.

Filmi artistik “Zgjoi” ka bërë historinë duke fituar tre çmime në festivalin Sundance: Filmit më të mirë, regjsores më të mirë dhe çmimin e publikut.

Zgjoi paraqet historinë e vërtetë të Fahrijes nga Krusha e Madhe, të cilën e luan Yllka Gashi, e cila kërkon burrin e humbur gjatë luftës në Kosovë teksa përballet edhe me vështirësitë e të qenurit grua./ KultPlus.com

Të ngjajshme