22 Korrik, 2025 - 10:50 am
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe krijimit të Qeverisë Demokratike, Shqipëria përballej me një situatë të vështirë ekonomike dhe monetare. Në mungesë të mundësisë për të shtypur kartëmonedhë të re, autoritetet ndërmorën një hap të pazakontë: vulosjen e kartëmonedhave ekzistuese.
Më 22 qershor 1945, Banka e Shtetit Shqiptar shpalli zyrtarisht nisjen e procesit të vulosjes së kartëmonedhave dhe çekmonedhave të emetuara më parë nga ish-Banka Kombëtare e Shqipërisë. Kjo masë kishte për qëllim të kontrollonte inflacionin dhe të përmirësonte qarkullimin monetar në vendin që sapo kishte dalë nga lufta, përcjellë KultPlus.
Procesi i vulosjes nisi më 27 qershor dhe zgjati deri më 8 korrik 1945, duke filluar nga zonat kufitare e më pas në gjithë territorin e Shqipërisë. Vulosja përfshiu vetëm kartëmonedhat me prerje 20 dhe 100 franga shqiptare, si dhe çekmonedhat me vlerë 20, 100, 500, 1000 dhe 5000 franga shqiptare.
Vula e përdorur kishte trajtën e një drejtkëndëshi me përmasa 52×34 mm, dhe përmbante një shqiponjë dykrenare me yll mbi të, si dhe mbishkrimin “Banka e Shtetit Shqiptar”. Elementët vizualë ishin të vijëzuar dhe të hijëzuar për të garantuar dallueshmërinë dhe origjinalitetin.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vulosja u realizua pa kufizim shume, por kartëmonedhat që nuk u paraqitën për vulosje u shpallën të pavlefshme dhe dolën jashtë qarkullimit. Në total, rreth 20% e monedhës në qarkullim mbeti jashtë këtij procesi, pasi nuk u përfshinë prerjet nën 20 franga.
Efekti në qarkullimin monetar ishte i ndjeshëm: nga një emision prej 384.396.000 franga shqiptare në fund të vitit 1944, shifra ra në 286.100.000 në fund të vitit 1945, një rënie që shënoi një ndërhyrje të rëndësishme në ekonominë e pasluftës./KultPlus.com